• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kusari-Lila: Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës janë të pakuptimta derisa Serbia përgatit agresion

Kusari-Lila: Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës janë të pakuptimta derisa Serbia përgatit agresion

Prishtinë, 1 mars 2024 (MIA) - Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LV), Mimoza Kusari-Lila i ka quajtur të pakuptimta sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për ndërmarrjen e veprimeve për deeskalimin e situatës në veri të vendit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në deklaratë për gazetarët pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila tha se është e pakuptimtë që masat të vazhdojnë të zbatohen ndaj Kosovës, ndërkohë që ka informacione për sjellje agresive të Serbisë ndaj së cilës nuk merren masa. 

Shefja e deputetëve të partisë së kryeministrit, Albin Kurti, ka thënë se për Kosovën janë marrë masa vetëm për shkak se kryetarët e zgjedhur i ka dërguar nën përcjellje policore në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ndërkohë që kundër Serbisë nuk ka masa, ndonëse, siç tha, ajo e organizoi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ndërsa më pas planifikoi një sulm tjetër.

Më pas Kusari-Lila i është referuar një shkrimi të gazetës britanike “Tajms”, i cili, duke iu referuar burimeve të Pentagonit, pretendon se Serbia po përgatitet për agresion në Kosovë.

“Është e pakuptimtë të mbahen masat kundër Kosovës në kohën kur sot po dalin informacione se Serbia jo vetëm që qëndron pas sulmit të 24 shtatorit, por po planifikonte një sulm tjetër dhe ka lëvizje masive ushtarake drejt kufirit me Kosovën. Artikulli i "Tajms" i cili tregon se janë deklasifikuar informacionet e Pentagonit dhe këshilltarit kryesor për sigurinë e Shtëpisë së Bardhë për të siguruar informacione dhe për të dërguar një mesazh të shpejtë për të gjitha vendet anëtare të NATO-s se Serbia po ndërmerr veprime ushtarake kundër Kosovës, me qëllim për të parandaluar një gjë të tillë, e zbulojnë qëllimin e vërtetë të Serbisë ndaj Kosovës", tha Kusari-Lila.

BE-ja, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendosën sanksione ndaj qeverisë së Kurtit qershorin e kaluar, duke kërkuar tërheqjen e policëve nga ndërtesat komunale në katër komuna në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Zveçanë, Zubin Potok dhe Leposaviq – dhe organizimin e zgjedhjeve të parakoheshme lokale me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Më herët, në prill të vitit të kaluar, partitë e serbëve etnikë bojkotuan zgjedhjet lokale, në të cilat fituan kandidatët e partive të shqiptarëve të Kosovës me një numër jashtëzakonisht të vogël të votave të fituara, gjë që u pasua me protesta në gjithë veriun e Kosovës. Kurti iu përgjigj protestave me angazhimin e policisë speciale për të mbrojtur kryetarët e sapozgjedhur. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR