• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kurti: Ushtria serbe po zhvillon stërvitje me dronë kamikaz pranë kufijve me Kosovën dhe Malin e Zi

Kurti: Ushtria serbe po zhvillon stërvitje me dronë kamikaz pranë kufijve me Kosovën dhe Malin e Zi

Prishtinë, 19 prill 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ushtria serbe i kryen ushtrimet kryesore ushtarake vetëm 30 kilometra larg kufirit me Kosovën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Duke i'u drejtuar gazetarëve në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës kombëtare Kjevë-Dollc në Kosovën qendrore, Kurti tha se njësitë serbe kryejnë ushtrime me dronë luftarakë kamikaz.

Ai theksoi se këto ushtrime mbahen vetëm tre kilometra nga kufiri me Malin e Zi dhe se me një sjellje të tillë Serbia tregon se është "aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor".

"30 kilometra larg kufirit të Kosovës, në Peshter të Sanxhakut, është duke u zhvilluar dita, mbase kryesore, e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur "Vihor 2024". Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi se Serbia është autoriteti, instanca e faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim për republikën tonë të cilën ata nuk e njohin", u shpreh Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, stërvitja e sotme e ushtrisë serbe "përveç që është kërcënim, në anën tjetër shkakton edhe ndotjen më të madhe të ajrit dhe tokës në Sanxhak". ia/sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR