• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kurti: Regjistrimi ishte i suksesshëm, të dhënat do të shërbejnë për politika, strategji dhe vendime më të mira në Kosovë

Kurti: Regjistrimi ishte i suksesshëm, të dhënat do të shërbejnë për politika, strategji dhe vendime më të mira në Kosovë

Prishtinë, 25 maj 2024 (MIA) - Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti është shprehur i lumtur për përfundimin e djeshëm me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur ishte bërë për herën e fundit, duke theksuar se kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të Kosovës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

 Në ceremoninë e sotme me rastin e përfundimit të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Kosovë, të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNDP-ja, Kurti deklaroi se rezultatet e regjistrimit do t'u mundësojnë institucioneve në të ardhmen të krijojnë politika, strategji dhe të marrin vendime më të mira për një zhvillim më të qëndrueshëm të Kosovës.

"Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur",  është shprehur Kurti në fjalimin para të pranishmive,

 Agjencia e Statistikave të Kosovës gjithashtu e vlerësoi regjistrimin e këtij viti, "përkundër sfidave dhe kompleksitetit që kishte", si një sukses.

"Regjistrimi i popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses. Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera vendore e ndërkombëtare", theksohet në njoftimin  e ASK-së.

Regjistrimi në Kosovë filloi më 5 prill dhe duhej të përfundojë më 17 maj, por me kërkesë të disa komunave u vazhdua për një javë dhe përfundoi dje, më 24 maj. 

Përmes portalit "EDiaspora" procesi i regjistrimit të popullsisë për diasporën është vazhduar deri më 31 gusht. 

 Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati deklaroi se janë regjistruar mbi 1.5 milionë banorë në Kosovë , por theksoi se të dhënat, siç është planifikuar, do të publikohen në gusht, por gjithçka do të bëhet gjatë muajit korrik.

 
 

 
 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR