• e mërkurë, 15 janar 2025

Kurti priti ambasadorin Uoker, biseduan për rëndësinë e librit për masakrën e Reçakut

Kurti priti ambasadorin Uoker, biseduan për rëndësinë e librit për masakrën e Reçakut

Prishtinë, 14 janar 2025 (MIA)- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot zhvilloi takim me ambasadorin Uiliam Uoker, ish shef i Misionit verifikues të OSBE-së, për të diskutuar një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të ambasadorit Uoker për këto ngjarje.

Në këtë takim, Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e ambasadorit Uoker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë, njofton Kosovapress.

“Theksoi rolin domethënës dhe proaktiv të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për ta bërë të mundur botimin e librit të memoarëve të ambasadorit Uoker i cili dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut. Kryeministri Kurti shtoi se ky libër dhe këto dëshmi të ambasadorit Uoker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë. Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si masakra e Reçakut”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Gjatë këtij takimi u vlerësua angazhimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti gjersa më 11 janar 2023, Qeveria kishte miratuar vendimin për financimin e hulumtimit, shkrimit, editimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit të ambasadorit Uoker me një mbështetje financiare prej 70,000 eurove për këtë iniciativë.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se libri kujton viktimat e masakrës së Reçakut dhe nderon të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Foto: Kosovapress

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR