• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kurti para studentëve të Programit evropian të Masterit në Venecie: Kosova është fener i demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Kurti para studentëve të Programit evropian të Masterit në Venecie: Kosova është fener i demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 23 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dje ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të Programit evropian Masterit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (EMA), i cili u mbajt në kompleksin monumental historik "Skuola Grande San Gjovani Evangelista" (Scuola Grande San Giovanni Evangelista) në Venecie, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp qeveritar i Kosovës, si folës kryesor në ceremoninë, ku u diplomuan 82 studentë nga 32 shtete, Kurti në fjalën e tij tha se ky vit akademik përputhet me dy përvjetorë të rëndësishëm, të cilët lidhen njëri me tjetrin:

“Së pari, dhjetori 2023 shënoi 75 vjetorin e miratimit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, e cila paraqet një dokument themelor për të drejtat e njeriut, dhe e dyta, ky vit shënoi vizitën e 20-të studentore të EMA-s në Kosovë për mësim të dorës së parë për avancimin e të drejtave të njeriut dhe demokratizimin e shoqërisë në kuptimin praktik", citohet Kurti në kumtesën e Qeverisë.

Ai theksoi se Kosova, në këtë periudhë, nga thellësitë e represionit, aparteidit dhe gjenocidit, u ngrit në fener të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

"Republika e Kosovës sot, si dhe Deklarata universale e të drejtave të njeriut, përfaqëson udhëtimin e jashtëzakonshëm nga thellësitë e represionit, aparteidit dhe gjenocidit deri në atë që jemi tani: një fener i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë", deklaroi kryeministri i Kosovës.

Ai shtoi se të drejtat e njeriut janë shpikja më e madhe e shekullit të 20-të dhe besnikëria jonë ndaj të drejtave të njeriut do të përcaktojë fatin e shekullit të 21-të.

Kurti, sipas kumtesës nga Kabineti i tij, u bëri thirrje studentëve të diplomuar që të vazhdojnë të parashtrojnë pyetje, të jenë kureshtarë dhe të angazhohen pa pushim për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë.

“Studentët e programit EMA-s 20 vjet me radhë kanë vizituar Kosovën në fund të semestrit të tyre të parë për të parë nga afër realitetin e punës në terren për të drejtat e njeriut dhe përfshirjen e gjerë të aktorëve, të nevojshëm për të rindërtuar një shoqëri të pasluftës. Gjatë këtyre vizitave studimore, studentët e programit u mirëpritën në takim dhe diskutim nga kryeministri Kurti", thuhet në kumtesë. rq/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR