• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kurti për "Fajnenshëll tajms": Pa dënime dhe sanksione për Serbinë definitivisht nuk do të ketë dialog

Kurti për

Prishtinë, 25 tetor 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse Serbia nuk dënohet apo nuk vendosen sanksione për sulmin terrorist në Banjskë të 24 shtatorit, "përfundimisht nuk do të ketë dialog", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një intervistë për "Fajnenshëll Tajms", të përcjellë nga mediat kosovare, Kurti tha se Serbia duhet të përballet me pasojat e përfshirjes së saj në sulmin e armatosur të 24 shtatorit në veri të Kosovës për të vazhduar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Nëse nuk ka dënime dhe sanksione ndaj Serbisë për atë që ka bërë, patjetër që nuk do të ketë dialog. Do të përfundojmë në menaxhim të dështuar të krizës dhe do ta harrojmë plotësisht normalizimin", tha Kurti.

Siç shkruan "Fajnenshëll Tajms", liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen të enjten në Bruksel, hera e parë që kur paraushtarakët serbë sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë afër Zveçanit më 24 shtator.

Gazeta britanike vuri në dukje se, sipas Kurtit, Perëndimi duhet të heqë dorë nga shpresat për rikthimin e bisedimeve në rrugën e duhur, nëse "nuk i bën presion" Serbisë.

Në intervistë, Kurti akuzoi pushtuesit nga Banjska se po përpiqen të nisin një luftë të re për aneksimin e veriut të Kosovës. Ai përsëriti se pas sulmit të 24 shtatorit gjithçka ndryshoi.

Kurti kërkoi nga emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, që të mos e konsiderojë Serbinë "një ari të cilit duhet t'i hidhen qengjat për t'u ngopur".

"Kjo duhet të përfundojë për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë", tha kryeministri i Kosovës.

Kurti mirëpret vendimin e NATO-s për shtimin e trupave në Kosovë. Megjithatë, ai thotë se misioni i KFOR-it duhet të mbetet vetëm për siguri dhe mbrojtje.

"Janë të nevojshme për siguri dhe mbrojtje. Dhe kështu duhet të qëndrojë. Nuk duhet ta bëjmë KFOR-in i pari që do të reagojë", tha Kurti për "Fajnenshëll Tajms".

Kryeministri i Kosovës është në mesin e 40 liderëve shtetërorë që do të takohen në Bruksel për programin madhor të infrastrukturës së BE-së "Porta globale" (Global Gateway). ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR