• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kurti: Mungesa e sanksioneve e trimëroi Serbinë, shpresoj që do ta fillojmë një etapë të re

Kurti: Mungesa e sanksioneve e trimëroi Serbinë, shpresoj që do ta fillojmë një etapë të re

Prishtinë, 18 prill 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se përshkallëzime në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të kishte, nëse Serbia do të sanksionohej ndërkombëtarisht pas rrëmbimit të policëve vitin e kaluar dhe pastaj pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ku u vra një pjesëtar i policisë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.   

Kurti tha në një konferencë për media pas seancës së Qeverisë se arrestimet në masë që Serbia po i bën nëpër kufinj "nuk do të vinin në shprehje" tash, nëse ajo do të ishte sanksionuar për veprimet agresive paraprake ndaj Kosovës. . 

"Po të kishte sanksione ndaj Beogradit atëherë kur u rrëmbyen tre policët tanë, më 14 qershor të vitit të kalaur në veri të Kosovës, ose atëherë kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku nga një grup i paramilitarëve më 24 shtator të vitit të kaluar, ne nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Sot arrestimet në masë që i bën Serbia të qytetarëve të vendit tonë, qofshin ata qytetarë të zakonshëm që e përdorin Serbinë si vend tranzit për t’u kthyer në Kosovë nga vendet e Bashkimit Europian apo për të shkuar atje, qofshin ata zyrtarë shtetërorë si puna e zëvendësdrejtorit të Policisë, këto nuk do të vinin në shprehje, sikur Serbia të ndodhej nën sanksione", tha Kurti. 

Ai konsideron se mungesa e sanksioneve “e ka trimëruar Serbinë”, ndërsa uroi që kjo sjellje e Beogradit “të paraqesë një etapë të re”, në të cilën “do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik” dhe se "Serbia është praktikisht shtet mafioz". 

"Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj, që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik, Kosova është shteti i së drejtës, që Kosova respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndërkaq Serbia praktkisht është shtet mafioz, ku një person publikisht lanson fushatë përndjekëse ndaj të gjithë të tjerëve", tha Kurti. 

 Duke përkujtuar një fjalim të Vuçiqit para disa ditëve, kryeministri i Kosovës e quajti Serbinë "shtet mafioz" dhe presidentin e saj "kryemafioz".

"Besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën për media të cilën e ka mbajtur presidenti i Serbisë në kazermën ‘Vasa Çarapoviq’ në Beograd të shtunën që shkoi, pikërisht kur u bënë 10 muaj të rrëmbimit të tre policëve tanë, Beqir Sefës, Rifat Zekës edhe Shemë Mustafës dhe në ditëlindjen e njësitit special ushtarak ‘Kobra’ i cili i kishte rrëmbyer ata polic. Shteti mafioz ku kryemafiozi është njeri publik, më publik atje duke qenë president i Republikës, nuk është ndryshe", shtoi ai. 

Ai i përmendi  shkeljet që tha se Serbia ia ka bërë marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Sipas kryeministrit të Kosovës, Brukseli reagoi për ndalimin e shtetasve të Kosovës në kufirin Kroaci - Serbi "sepse nuk do të kishte kurrfarë kuptimi më nëse nuk do të reagonte".

 "Por, sërish mbetem me shpresë që do ta fillojmë një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që e kemi një shtet demokratik si Kosova dhe një shtet mafioz si Serbia, e cila e ka këtë president në krye, që është më së paku president, e zakonisht ose kryeprokuror, ose kryepolic”, tha Kurti.

 

QËNDRONI TË LIDHUR