• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kurti me video nga fillimi i punimeve në rrugën Prizren - Tetovë: Po i lidhim dy qytetet historike

Kurti me video nga fillimi i punimeve në rrugën Prizren - Tetovë: Po i lidhim dy qytetet historike

Prishtinë, 14 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e vizitoi vendin ku kanë filluar punimet e rrugës Prizren- Tetovë i cili, siç theksoi, lidh këto dy qytete historike të dy vendeve fqinje dhe është e një rëndësie të veçantë, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë.

Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 llote. Në LOT-in 1 dhe LOT-in 3, punimet filluan dje.

Nga vendpunishtja e LOT-it 3, kryeministri tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore Prizren – Tetovë, që lidh këto dy qytete, që lidh këto dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë.

Ndërkaq, pas vizitës së LOT-it të parë, ai u shpreh se synimi ynë është që t’ia japim mbështetjen maksimale këtij aksi rrugor, këtij projekti infrastrukturor, që të kryhet sa më shpejtë për shkak se shumë kohë është humbur që Prizreni e Tetova të mbesin kaq gjatë të ndara.

Ai shtoi se punët po shkojnë mirë dhe jemi shumë të gëzuar që po marrim pjesë në këtë fillim të punimeve për një aks kaq të rëndësishëm e jetik për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e për Maqedoninë e Veriut, për shqiptarët në të dy anët e Malit të Sharrit. rq/

Foto: FB i Albin Kurtit

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR