• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kurti: Me SHBA-në kemi bashkëpunim të mirë, por nuk do të thotë se gjithmonë pajtohemi

Kurti: Me SHBA-në kemi bashkëpunim të mirë, por nuk do të thotë se gjithmonë pajtohemi

Prishtinë, 19 shkurt 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkëpunimi i qeverisë së tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është "në një nivel shumë të mirë", megjithëse ka shtuar se të qenit aleat nuk do të thotë se "jemi absolutisht dakord gjithmonë, në çdo vend dhe për gjithçka", lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas ceremonisë së vënies së gurthemelit të një fabrike në komunën e Gjilanit, Kurti tha se Qeveria është e obliguar të mbështesë rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, tha se zhvillimet e fundit në lidhje me dinarin, gjegjësisht mospërfillja e kërkesës së Uashingtonit dhe aleatëve të tjerë perëndimorë të Kosovës për të vonuar zbatimin e ndalimit të dinarit, reflektojnë cilësinë e Partneritetit të Kosovës me SHBA-në.

Kryeministri i Kosovës insiston se përkundër qëndrimit të tillë të Uashingtonit zyrtar, marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë shumë të mira.

"Bashkëpunimi ynë me SHBA-në është shumë i mirë, jemi partnerë, aleatë, miq, por kjo nuk do të thotë se jemi absolutisht dakord gjithmonë, në çdo vend dhe për gjithçka. Pra, nga ky aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjit, është e obliguar ta mbështesë, prandaj them se marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe unë i qëndroj kësaj fjale", tha Kurti.

I pyetur nëse ka marrë një ftesë për t'u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Zhozep Borell, Kurti tha se do të shkojë në Bruksel nëse do të ftohet për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë.

Ai informoi se në takimin e fundit me Borellin në Mynih është biseduar për temat e dialogut Prishtinë-Berograd me ndërmjetësimin e BE-së, si dhe rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.

Kurti tha se nuk i është thënë se do të ketë ftesë për një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

"Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Për mua, marrëdhëniet do të ishin normalizuar që në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurt dhe mars 2023, mund të bëhet në shkurt dhe mars 2024, pse jo", tha Kurti. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR