• e shtunë, 29 qershor 2024

Kurti me liderin opozitar Krasniqi ka biseduar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kurti me liderin opozitar Krasniqi ka biseduar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Prishtinë, 14 maj 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me liderin e partisë më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, deklaroi se në takim u bisedua për zgjedhje të reja dhe për kohën kur ato do të mund të mbahen, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Duke iu drejtuar mediumeve pas takimit me Krasniqin, Kurti deklaroi se, sipas tij, sezonet më të volitshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë pranvera dhe vjeshta", por për mbajtjen e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.

"Biseduam edhe për situatën në përgjithësi dhe për përparimin e Kosovës në integrimet ndërkombëtare dhe për mundësinë për zgjedhje të reja në një të ardhme të afërt, kur dihet se tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim në krye të Qeverisë...Ata (PDK) e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, ato janë çështje e muajve dhe jam i interesuar të flas me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se kur është sezoni më i volitshëm për zgjedhjet e ardhshme. Konsideroj se në përgjithësi është pranvera ose vjeshta", tha Kurti.

Ai informoi se ka kërkuar bashkëpunim nga partitë opozitare në Kuvend për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten dy të tretat nga votat e deputetëve, duke theksuar se "ky është interes i Kosovës".

"Sonte diskutuam çështjet e aktualitetit politik, por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë në pritje për t'u votuar. Na nevojitet mbështetja e opozitës. Dihet se shumica e thjeshtë nuk është e mjaftueshme, por nevojiten 2/3 e deputetëve. Kemi edhe marrëveshje ushtarake kornizë ndërkombëtare dhe kemi pesë propozim-ligje, në lexim të parë dhe të dytë, për të cilat na nevojitet përkrahje nga opozita, ose, më mirë të them, bashkëpunimi me ta, pasi vlerësojmë se kjo është çështje me interes të përgjithshëm", tha Kurti.

Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës u ka bërë thirrje krerëve të partive opozitare parlamentare - Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për, siç kumtuan nga partia e tij, të bisedojnë për agjendën kuvendore, respektivisht për ligjet që janë në rend të ditës në Kuvend.

Nga LDK dhe AAK deklaruan se liderët e tyre nuk do të takohen me Kurtin, për shkak të (LDK) "ngulfatjes së demokracisë parlamentare" nga ana e partisë së Kurtit dhe për shkak se (sipas AAK-së) këto çështje duhet të jenë temë e Kryesisë së Kuvendit dhe të shefave të grupeve të deputetëve, e jo në takim të liderëve.

Vetëm lideri i PDK-së e pranoi ftesën, me vërejtje se në takimin me kryeministrin do të bisedojë vetëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR