• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kurti: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk u arrit sepse Boreli hoqi dorë nga propozimi i BE-së

Kurti: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk u arrit sepse Boreli hoqi dorë nga propozimi i BE-së
Prishtinë, 21 nëntor 2022 (MIA) - Kryeministri kosovar, Albin Kurti, pas takimit të sotëm në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është arritur sepse shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Xhozep Borel hoqi dorë nga afati marsi i vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Duke folur para gazetarëve pas takimit tetëorësh me Vuçiqin, me ndërmjetësim të Borelit dhe të të dërguarit special të BE-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Kurti tha se për Qeverinë e tij është i papranueshëm propozimi të cilin Boreli e tha për zgjidhjen e krizës aktuale me masat për ata të cilët nuk do t'i ndryshojnë targat serbe me targa kosovare. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme, pas takimit të sotëm deklaroi se ka propozuar që Prishtina ta shtyjë shqiptimin e gjobave për mosrespektim të vendimit për ndryshimin e targave, ndërsa Beogradi të ndërpresë dhënien e targave me shenja serbe për serbët e Kosovës. Atë propozim, theksoi Boreli, Vuçiqi e ka pranuar, por Kurti e ka refuzuar. Në deklaratën të cilën e transmetuan mediat në Prishtinë, kryeministri kosovar, shprehu keqardhje që BE-ja, si ndërmjetësuese, ka hequr dorë nga propozimi paraprak për normalizimin e marrëdhënieve. “Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjent të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra, erdhëm këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borelli, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti. Ai theksoi se është gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë në Bruksel për të biseduar, porse bisedimet duhet ta kenë në qendër njohjen e ndërsjellë. “Unë jam i gatshëm të vijë këtu, të zhvillojë takime, gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë, marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të shndërrohemi në lider shtetërorë që merren vetëm me çështje të targave e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve", deklaroi Kurti. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR