• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kurti: Kosova po përballet me kërcënime për sigurinë nga Serbia

Kurti: Kosova po përballet me kërcënime për sigurinë nga Serbia

Paris, 11 tetor 2023 (MIA) -  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Paris deklaroi se Kosova po përballet me kërcënime për sigurinë nga jashtë, veçanërisht nga Serbia. 

 Në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris, siç lajmëroi koha.net, ai ka folur  për sulmin në Banjskë duke theksuar se ka qenë pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë. 

"Më pak se dy muaj më parë kemi pasur këtë sulm nga një grup paramilitar terrorist nga Serbia në veri të vendit tonë. Ata kanë vrarë një polic të Kosovës dhe kanë dashur të shkaktojnë përshkallëzim të përmasave të mëdha që të mund të krijojnë kaos në tërësi si pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë", ka thënë ai. 

Kurti shtoi se në Kosovë nuk ka vetëm kërcënime të brendshme për sigurinë, por ka edhe kërcënime të jashtme për sigurinë dhe kjo ka "të bëjë me kohën gjeopolitike përmes së cilës po kalojmë e në anën tjetër ka të bëjë me fqinjin tonë verior që nuk e njeh vendin tonë".  

Kryeministri i Koosvës ka deklaruar se Kosova ka vetëm një alternativë, që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. 

"Për sigurinë e vendit tonë duhet të merremi me këto grupe që duan të jenë si Wagneri që duan të shkaktojnë destabilizim, dhe duhet të fokusohemi në situatën gjeopolitike ku nuk kemi alternativë sepse nuk duam të kemi alternativë përpos BE-së dhe NATO-s, por pastaj ka vende që mendojnë dhe bëjnë tjetër çka", ka thënë ai. 

I pyetur nëse BE-ja mund ta ndihmojë Kosovën, Kurti ka deklaruar se u beson dy zotimeve që kanë ardhur nga atje. 

"Kemi dy premtime, një prej Fon der Lajenit për planin e zgjerimit, por kemi edhe një premtim nga Sharl Mishelit se 2030 është viti kur BE-ja dhe Ballkani Perëndimor bëhen bashkë. Kemi kohë dhe kemi substancë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë që të hyjmë në rrugën që është e pakthyeshme. Jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë për anëtarësim në BE", ka thënë ai. 

Kryeministri ka vlerësuar se asnjë prej shteteve fqinje të Serbisë nuk do të jetë i sigurt nga ajo deri në anëtarësimin në BE.

"Në njërën anë ata duan të shohin ndarje të Kosovës, do të donin kompensime territoriale për gabimet e tyre, por nuk është e mundshme. Në anën tjetër, kemi dëshmuar përpjekje destabilizuese në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë, fqinj të Serbisë. nganjëherë edhe në Maqedoninë e Veriut. Fqinjët e Serbisë për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu", vlerësoi kryeministri i Kosovës.

I pyetur për idenë për shkëmbim të territoreve, ai tha se ideja nuk është e vdekur, por nuk ka mundësi të realizohet. 

"Ashtu si Moska është e palumtur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, edhe Beogradi nuk është i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë që vetë e shkaktoi. Jetojmë në kohë kur ky projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe e shoh këtë Shpesh kur dëgjoj presidentin serb të flasë publikisht. Njerëzit që kanë ëndërruar për shkëmbime kufijsh është e vështirë për ta hequr dorë nga nostalgjia dhe të marrin pjesë në zgjidhje demokratike dhe evropiane... pavarësisht dështimit të projektit, ideja është aty, por pa asnjë mundësi që të vihet në jetë. Sa më shpejt të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de jure dhe de facto do jetë më mirë për të gjithë", ka përfunduar Kurti. 

 Ai shtoi se ideja e shkëmbimit të territoreve kishte gjetur mbështetje nga ish-liderët e Kosovës. 

 Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR