• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kurti kërkon të zbatohet marrëveshja për lëvizje me letërnjoftim mes Kosovës dhe BeH-së

Kurti kërkon të zbatohet marrëveshja për lëvizje me letërnjoftim mes Kosovës dhe BeH-së

Prishtinë, 28 maj 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me deputtein e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, me të cilin bisedoi për zbatimin e marrëveshjeve për mobilitet në Procesin e Berlinit, përfshirë edhe lëvizjen me letërnjoftime mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në kumtesën e shërbimit qeveritar për informim thuhet se Kurti dhe Sarazin kanë biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe pritjet bga Samiti i ardhshëm që do të mbahet në Berlin me rastin e jubileut 10-vjeçar të Procesit të Berlinit.

"përparimi në implementimin e marrëveshjeve për mobilitet në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i ardhshëm që do të mbahet në Berlin në 10-vjetorin e tij, ishin tema të bisedimeve. Kryeministri e ceki rëndësinë që para samitit të ardhshëm të fillojë implementimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftim mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, e cila e lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve", ceket në kumtesë.

Kryeministri Kurti theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Kryeministri i Kosovës e falënderoi deputetin Sarazin për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

"Procesi i Berlinit është platforma ku angazhoheni për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm, citohet Kurti në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.

Sarazin, i cili po qëndron në Prishtinë, para se të takohej me Kurtin, u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila, siç u kumtua, ka kërkuar prej tij mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR