• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kurti: Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë minojnë paqen në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin

Kurti: Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë minojnë paqen në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin

Prishtinë, 18 tetor 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka renditur disa veprime të cilat i ka marrë Serbia përgjatë vijës kufitare me Kosovën e për të cilat thotë se minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, lajmëroi korrespondenti i MIA-s. 

Në fjalimin e sotëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike të mërkurën, Kurti ka thënë se me veprimet e saj, Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Kosovën. 

"Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë. Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është 381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë", tha Kurti.

 Megjithatë, porositi ai, veprimet armiqësore të Beogradit ndaj Kosovës kërcënojnë gjithashtu paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

"Veprimet e rrezikshme të Serbisë, aspiratat e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës, dhe luftimi i shtetësisë sonë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo vetëm”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë.

Kurti ka theksuar se janë gjithmonë të përkushtuar në ballafaqimin me sfidat aktuale në vend, “por edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët përmes dialogut, veçanërisht me Serbinë, si palë të barabarta, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit e me njohje të ndërsjellë mes shteteve”. 

 “Këto parime, për ne janë garancë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë”, ka shtuar ai.

 Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës angazhohen çdo ditë që të ndërtojnë një shtet të sigurt.

 "Të ngrisim e forcojmë kapacitetet tona për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, kontribuojmë në paqen dhe sigurinë rajonale", ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se përballë këtyre sfidave globale të sigurisë, është e domosdoshme ndihma, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve që mbështeten në vlera demokratike, “për ballafaqim me terrorizmin dhe krimet të cilat cenojnë sigurinë e shteteve e popujve kudo në botë”. 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR