• e martë, 24 dhjetor 2024

Kurti i ofroi opozitës zgjedhje të jashtëzakonshme në këmbim të votave për kodin civil, thotë për Rojters një deputet i partisë së tij

Kurti i ofroi opozitës zgjedhje të jashtëzakonshme në këmbim të votave për kodin civil, thotë për Rojters një deputet i partisë së tij

Prishtinë, 23 maj 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë dhjetë ditëve të kaluara ka nisur një seri takimesh me krerë të partive politike që janë në opozitë por edhe bashkëpunëtorët e tij në kuadër të koalicionit qeverisës, me çka çështja e shkuarjes në zgjedhje të reja është një prej temave të diskutuara në këto darka të cilat i organizon ai, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lidhur me takimet e kryeministrit të Kosovës me krerët e partive parlamentare, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në kushte anonimiteti ka zbuluar se cili është pazari që Kurti po provon ta arrijë me partitë opozitare.

Në deklaratë për agjencinë e lajmeve Rojters, ky deputet i VV-së ka thënë se kryeministri Kurti po provon që të bindë partitë opozitare që të votojnë për Kodin Civil duke e dhënë në këmbim shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

"Një deputet i partisë në pushtet i tha agjencisë Rojters në kushte anonimiteti se Kurti po mundohet që ta bindë opozitën për ta votuar kodin e ri civil, si dhe marrëveshje për energjinë e infrastrukturën, duke i ofruar si këmbim shpallje të zgjedhjeve të parakohshme", transmetuan mediat në Prishtinë.

Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit të tij në Gjermani para disa javëve kishte premtuar se do të bënte përpjekje personalisht për të siguruar shumicën për Kodin Civil, duke qenë se brenda partisë së tij ka një numër të madh deputetësh të cilët janë kundër. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR