• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kurti fton serbët në bashkëbisedim për nevojën e hapjes së urës së Ibrit

Kurti fton serbët në bashkëbisedim për nevojën e hapjes së urës së Ibrit

Prishtinë, 7 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar institucionet e sigurisë që siguruan mbarëvajtjen e tubimit të sotëm të qytetarëve të nacionalitetit serb në Mitrovicën Veriore, të cilët dolën për të protestuar kundër hapjes së urës në lumin Ibër, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një postim në faqen e tij në Fejsbuk, Kurti ka theksuar faktin se protesta e sotme e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë ka përfunduar pa asnjë incident.

"Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim", shënoi Kurti.

Ai përmendi se nesër komuna e Mitrovicës së Veriut , në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën "Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile", dhe u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi "përfitimet nga hapja e urës".

Kurti tha se shqetësimet e shprehura nga qytetarët do të hetohen nga përfaqësuesit institucionalë dhe institucionet e vendit.

"Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale... I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit", shënoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës thotë se ura e Ibrit padrejtësisht ka marrë epitetin e ndarjes dhe marrëdhënieve jonormale.

"Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit", porositi Kurti. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR