• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kurti: Duhet një marrëveshje ndërshtetërore për të mbajtur zgjedhje serbe në Kosovë

Kurti: Duhet një marrëveshje ndërshtetërore për të mbajtur zgjedhje serbe në Kosovë

Prishtinë, 22 nëntor 2023 (MIA) - Për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në territorin e Republikës së Kosovës, nevojitet një marrëveshje ndërshtetërore, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Majkëll Devenport, njoftoi Anadolia.

Lidhur me kërkesën e Serbisë të dërguar përmes misionit të OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve më 17 dhjetor në territorin e Republikës së Kosovës, Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e tij se për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.

Shtohet se këtë e ka deklaruar kryeministri i Kosovës në përgjigjen e tij zyrtare për shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Qeveria e Serbisë në fillim të nëntorit i dërgoi një kërkesë Misionit të OSBE-së në Kosovë për të ndihmuar në mbledhjen e votave të qytetarëve të Kosovës me shtetësi të dyfishtë për zgjedhjet parlamentare në Serbi, gjë që kërkon pëlqimin e institucioneve të Kosovës.

Praktika e mëparshme e organizimit të votimit për zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës u ndërpre me ardhjen në pushtet të kryeministrit Kurti. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR