Ku ndodhet Kashmiri dhe pse është kaq i rëndësishëm?!
- Kashmiri, një rajon në Himalaje në veri të nënkontinentit të Indisë, më shumë se shtatëdhjetë vite ka qenë një nga pikat më të paqëndrueshme në botë. Që nga marrja e pavarësisë nga Perandoria britanike në vitin 1947, India dhe Pakistani kanë zhvilluar luftëra dhe konflikte të shumta, pothuajse të gjitha për Kashmirin ku të dy vendet pretendojnë marrjen.
- Post By Fami Bajrami
- 09:19, 8 maj, 2025
8 maj 2025
Indeks.hr
Kashmiri, një rajon në Himalaje në veri të nënkontinentit të Indisë, më shumë se shtatëdhjetë vite ka qenë një nga pikat më të paqëndrueshme në botë. Që nga marrja e pavarësisë nga Perandoria britanike në vitin 1947, India dhe Pakistani kanë zhvilluar luftëra dhe konflikte të shumta, pothuajse të gjitha për Kashmirin ku të dy vendet pretendojnë marrjen.
Pas ndarjes së Indisë britanike në Indi me shumicë hindu dhe Pakistanit me shumicë myslimane, Kashmiri u bë objekt i mosmarrëveshjeve. Edhe pse kishte një popullsi kryesisht myslimane, në atë kohë sundonte princi hindu. Në tetor të vitit 1947, shpërtheu lufta e parë midis dy shteteve të sapothemeluara. Konflikti ku jetën e humbën mijëra njerëz, përfundoi në vitin 1948 pa një zgjidhje përfundimtare.
Ndarja në tre pjesë dhe linja e kontrollit
Një vit më vonë, në vitin 1949 me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara është vendosur linjë e armëpushimit e cila e ndau Kashmirin në dy pjesë - njëra nën kontrollin indian dhe tjetra nën kontrollin pakistanez. KB-ja më pas premtoi referendum midis banorëve të Kashmirit që do t'u lejonte atyre të vendosnin nëse donin t'i përkisnin Indisë apo Pakistanit. Megjithatë, ai referendum nuk u mbajt asnjëherë.
Sot, Kashmiri është i ndarë në tre pjesë të kontrolluara nga tre fuqi bërthamore. India administron me pjesën jugore dhe qendrore të rajonit, të njohur si Xhamu dhe Kashmir dhe rajonin malor Ladak në lindje i cili përfshin pjesën strategjike Siaçen. Pakistani mban pjesën jugperëndimore të quajtur Azad Kashmir dhe pjesën veriore të njohur si Gilgit- Baltistan. Nga ana tjetër, Kina kontrollon shkretëtirën Aksai Çin në verilindje të cilën pretendon edhe India duke e konsideruar si pjesë të Ladakut.
Kufiri midis pjesës së Indisë dhe Pakistanit të Kashmirit njihet si Vija e kontrollit (LoC). Edhe pse nuk njihet ndërkombëtarisht si kufi zyrtar, LoC sot paraqet vijën ndarëse midis territoreve të administruara nga dy shtetet. Vija u konfirmua pas luftës së vitit 1971 dhe bazohet në Marrëveshjen e Karaçit të vitit 1949 ku u vendos armëpushim nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Rëndësia strategjike
Rëndësia e Kashmirit qëndron edhe në burimet ujore, pasi uji nga lumenjtë kryesor si Indi, i cili buron në pjesën indiane të Kashmirit është strategjikisht i rëndësishëm për bujqësinë pakistaneze dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Edhe pse ekziston një Traktat për ujërat e Indusit nga viti 1960, Pakistani druan se India në rast të përkeqësimit të marrëdhënieve, mund të manipulojë rrjedhën e lumenjve që varen në mënyrë jetike nga pellgu i lumit Kashmir.
Për Indinë, Kashmiri është mbi të gjitha çështje e religjionit dhe sigurisë, pasi rajoni është i ndarë nga tre fuqi bërthamore. Kontrolli mbi atë zonë i mundëson Indisë thellësi gjeopolitike dhe një avantazh mbrojtës në rast të një konflikti ushtarak, veçmas në zonat kufitare malore si Siaçen dhe Ladak.
Kashmiri, siç vërteton përshkallëzimi i fundit, është një nga pikat më të rrezikshme gjeopolitike në botë. Konflikti ka marrë dhjetëra mijëra jetë gjatë tre dekadave të fundit, ndërsa zgjidhje përfundimtare ende nuk duket në horizont.