• e enjte, 26 dhjetor 2024

KSHZ nuk e regjistroi për zgjedhjet lokale Partinë Demokratike, të kryesuar nga Alibeaj

KSHZ nuk e regjistroi për zgjedhjet lokale Partinë Demokratike, të kryesuar nga Alibeaj

Tiranë, 14 mars 2023 (MIA) - Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, Ilirjan Celibashi nuk pranoi sot kërkesën e Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar Lulzim Basha për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet  e 14 majit, njofton ATSH.

Duke parashtruar arsyet e vendimit në seancën publike të pasdites së sotme, pas shqyrtimit të kërkesës së partisë politike “Partia Demokratike”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, Celibashi tha se kërkesa e PD për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet.

“Në vlerësimin tim, nga pikëpamja formale Lulzim Basha ose personat e autorizuar nga ky i fundit kanë të gjithë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për t’u regjistruar si objekt zgjedhor. Por, dokumentet për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor të Shqipërisë i paraqitur nga ju si i autorizuar nga Basha kanë një mangësi themelore”, iu drejtua Celibashi, përfaqësuesit ligjor të PD-së, Indrit Cefa.

Celibashi argumentoi se deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, por rezulton se është nënshkruar nga Alibeaj, i cili është autorizuar sipas dokumentacionit nga Basha. Në vlerësimin tim Lulzim Basha ose personat e përfaqësuar prej tij mund të bëjnë kërkesën”, tha Celibashi.

“Meqë nuk ka asnjë dokument tjetër, jemi në të njëjtën situatën si në seancën e shkuar. Dhe meqë nuk kemi kërkesë shtesë, japim gjykimin tonë mbi kërkesën për regjistrimin e PD. Çështja e përfaqësimit ligjor për të paraqitur kërkesën ka qenë në diskutim. Në vlerësimin ligjor, ka disa fakte e pretendime që i gjej të mbështetura në ligj e disa jo. Qëndron që Basha është kryetar i PD, ligjërisht dhe nuk qëndron tjetri se Berisha është ai kryetar i PD. Mbi këtë fakt ka legjitimitet pala e Bashës, ose persona të autorizuar nga ai kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për regjistrim si subjekt zgjedhor. Por ky autorizim duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor, ka një mangësi themelore, deklarata duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kreu i PD, por rezulton e nënshkruar nga Alibeaj”, theksoi Celibashi.

Në bindjen time, vijoi Celibashi, deklarata solemne është një akt që nënshkruhet vetëm nga kreu i partisë.

“Sjell si shembull zgjedhjen e presidentit. Për të njëjtën vlerë juridike lidhur me kërkesën për regjistrimin si subjekt zgjedhor, mbart edhe deklarata solemne. Keni pretenduar se Alibeaj e ka të drejtën të nënshkruajë pasi është i autorizuar nga kreu i partisë, por pretendimi juaj nuk ka bazë ligjore. Si solemniteti edhe urdhërimi nuk mund të delegojnë nëse ligji e parashikon ndryshe, në rastin konkret nuk ka parashikim tjetër. Përgjegjësia e kreut të partisë është e njëjtë me përgjegjësinë e një dëshmitari në proces gjyqësor, që nuk transmetohet tek një tjetër, është gjithnjë personale”, vijoi Celibashi.

“Nga ju u pretendua se është fakt i njohur se Basha ka dhënë dorëheqjen dhe s’mund të nënshkruajë. Vjen në kontradiktë me veprimet nga ana juaj, në vlerësimin tim nuk ka bazë ligjore”, theksoi Celibashi.

Celibashi u shpreh se “kur është rasti të legjitimojë ty z. Sefa si përfaqësues Basha është kryetar. Kur ju kërkohet që deri sa është kryetar, duhet të përmbushë detyrimet që i ngarkon Kodi ju sillni në vëmendje pretendimin se ka dhënë dorëheqjen. Në këtë rast duhet që organet e partisë të depozitojnë në gjykatë njoftimet përkatëse, vendimet e mundshme të organeve përkatëse, duhet të depozitohen në regjistrin e partive. Kështu edhe në rastin konkret Basha ka dhënë dorëheqjen prej 2022, prej Bashës nuk ka asnjë dokument në lidhje me administrimin e dorëheqjes së tij. Duhet ta kishit depozituar dorëheqjen në gjykatë”.

“Organet e tjera drejtuese, kanë pasur rreth një vit kohë për të bërë depozitimet e akteve në regjistrimin e partive, vetëm kështu kushdo tjetër kishte kompetencat e kreut të PD edhe pa qenë kryetar. Në kushtet kur nuk është bërë depozitimi i dorëheqjes, atëherë Alibeaj si nënkryetar mund të pranohet se i ushtron disa kompetenca, por jo të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë e kryetarit. Ndaj në kushtet kur deklarata nuk është sipas ligjit. Kërkesa e PD për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore dhë nuk duhet të pranohet”, tha Celibashi.

Seanca publike e pasdites së sotme u zhvillua me dëgjesën e palëve dhe pretendimeve të tyre pasi më herët KAS rrëzoi ankimimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar Lulzim Bashën dhe të Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR