• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

KSHPK ka formuar lëndë për zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë për Inteligjencë dhe për ish zëvendësministrin e MPB-së

KSHPK ka formuar lëndë për zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë për Inteligjencë dhe për ish zëvendësministrin e MPB-së

Shkup, 10 korrik 2024 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska kumtoi se Komisioni ka formuar lëndë pas ankesës së marrë për emërimin e zëvendësdrejtoreshës në Agjencinë e Inteligjencës dhe për ankesën e dorëzuar nga ministri i Punëve të Brendshme në lidhje me veprimet e marra nga ana e zëvendësministrit paraprak, dhe se në vijim është analiza e dokumentacionit për këto raste.

"Po, në KSHPK kanë arritur dy lëndë, gjegjësisht dy ankesa - njëra ka të bëjë me zgjedhjen e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë për Inteligjencë. Gjithashtu është dorëzuar edhe ankesë nga ministri i Punëve të Brendshme në lidhje me veprimet e ndërmarra nga ana e zëvendësministrit paraprak.  Për dy ankesat janë formuar lëndë. Është kërkuar dhe dorëzuar dokumentacion dhe në vijim është analiza e dokumentacionit. Në lidhje me këto dy lëndë, do të marrim vendim. Prioritet i japim lëndëve të tilla, sepse njëra ankesë ka të bëjë me dyshimet për shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për parandalimin e korrupsionit, ndërsa lënda tjetër është për plotësimin e kushteve për emërimin e zëvendësdrejtorit", tha Dimitrovska duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska.

Dimitrovska në seancën e sotme të Komisionit kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive e arsyetoi Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova më 28 qershor zëvendësdrejtoreshë të re në Agjencinë e Inteligjencës e emëroi Ivana Stojanovskën. Në media shkruhej se ajo nuk e ka përvojën e nevojshme në fushat adekuate, të domosdoshme për t'u emëruar zëvendësdrejtoreshë në AI. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR