• e enjte, 26 dhjetor 2024

KS i KB-së miratoi rezolutë kundër sulmeve të kryera nga huthët në Detin e Kuq; sipas huthëve, votimi është lojë politike

KS i KB-së miratoi rezolutë kundër sulmeve të kryera nga huthët në Detin e Kuq; sipas huthëve, votimi është lojë politike

Nju-Jork, 11 janar 2024 (MIA) - Këshilli i Sigurimit të KB-së miratoi rezolutë, me të cilën nga huthët jemenas kërkohet të ndalen me sulmet ndaj anijeve komerciale dhe tregtare në Detin e Kuq. Menjëherë pasoi reagimi i liderit të huthëve, i cili vlerësoi se bëhet fjalë për "lojë politike" dhe se është SHBA-ja ajo që e shkel të drejtën ndërkombëtare.

Në Rezolutën mbrëmë të miratuar të Këshillit të Sigurimit të KB-së "në mënyrën më të ashpër dënohen sulmet e kryera nga huthët" ndaj anijeve komerciale. Bëhet fjalë për të paktën 20 sulme, të realizuara nga 19 nëntori i vitit 2023 deri tani. 

Krahas kësaj, Këshilli i Sigurimit të OKB-së "kërkon që huthët menjëherë të ndalen me sulme të tilla, që e pengojnë tregtimin botëror, dëmtojnë të drejtat dhe liritë e lundrimit dhe kërcënojnë paqen dhe sigurinë rajonale”.

"Për" Rezolutën votuan 11 vende, kundër nuk ishte asnjë vend anëtar i Këshillit të Sigurimit, ndërsa Rusia, Kina, Algjeria dhe Mozambiku ishin të përmbajtur. Para votimit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së hodhi posht tre amendamente të Rusisë. 

Lideri i huthëve Mohamed Ali Al Huti vlerësoi se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit është "lojë politike" dhe se SHBA-ja po e shkel të drejtën ndërkombëtare. 

Al Huti në publikimin në X tha se atë që po e bëjnë militantët jemenas është në kuadër të "mbrojtjes legjitime" dhe se çdo aksion me të cilën do të përballen, do të ketë përgjigjen e duhur. 

"I bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që menjëherë të lirojë 2,3 milionë njerëz nga rrethimi izraelito-amerikan në Gazë”, tha udhëheqësi i huthëve.

Huthët, organizatë proiraniane, e cila e mori kontrollin ndaj pjesës më të madhe të Jemenit gjatë Luftës civile, paraprakisht paralajmëroi se do të sulmonjë anijet e lidhura me Izraelin, me çka do të mbështesin Hamasin në Gazë. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR