• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës hyjnë në zyrat e tyre

Kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës hyjnë në zyrat e tyre

Leposaviq/Zveçan/Zubin Potok, 26 maj 2023 (MIA) - Në një situatë të tensionuar kryetarët e komunave Zubin Potok – Izmir Zeqiri, Zveçan – Ilir Peci dhe Leposaviq- Lulzim Hetemi sot pasdite kanë hyrë në zyrat e tyre dhe kanë filluar detyrën.

Situata për momentin është relativisht e qetë, por me prezencë masive të policisë së Kosovës.

Paradite një grup qytetarësh u mblodhën para objekteve të institucioneve në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq që të pengojnë kryetarët e rinj të përkatësisë shqiptare të hyjnë nëpër komuna dhe të marrin detyrën, siç ishte paralajmëruar dhe planifikuar më herët. Ata fituan në zgjedhjet e prillit të cilat u bojkotuan nga serbët.

Dhjetëra pjesëtarë të policisë speciale të Kosovës më pas me automjete arritën në ndërtesat e pushtetit lokal në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dhe me gaz lotsjellës dhe shok bomba i shpërndanë serbët, të punësuar në ato komuna të cilët ishin mbledhur para hyrjes së ndërtesave komunale. 

“Konform detyrës zyrtare, sot policia e Kosovës po ndihmon kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok që të ushtrojnë të drejtën e tyre për punë në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Kosovës.

Presidenti dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë pas incidenteve nënshkroi urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Forcave të armatosura serbe në nivelin më të lartë dhe urdhëroi nisjen drejt linjës administrative me Kosovën dhe Metohinë, kumtoi ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq.

Përfaqësues të spitalit të Mitrovicës kanë konfirmuar se në konfliktin mes forcave speciale të policisë dhe qytetarëve të tubuar janë lënduar dhjetë persona.

Qeveria e Kosovës disa orë më herët njoftoi vendet e Kuintit për qëllimin që me ndihmën e policisë të hyjnë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. 

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Xhefri Hovenier ka dënuar veprimin e autoriteteve të Kosovës dhe ka theksuar se dhuna e sotme në veri duhet të ndalohet menjëherë.

“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t'iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Masa e dhunshme sot duhet të ndërpritet menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Tuiter.

Edhe kryesuesi i OSBE-së dhe ministër për Punë të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani pas ngjarjeve të sotme në veri të Kosovës bëri thirrje për qetësim të tensioneve dhe deeskalim të situatës.

“Si kryesues i OSBE-së, bëj thirrje për deeskalim dhe ulje të tensioneve. Është thelbësore të ruhet paqja dhe stabiliteti. OSBE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka besimin e qytetarëve dhe institucioneve për të ofruar mbështetje”, ka shkruar Osmani në Tuiter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi se sot gjatë ditës do të flasë për ngjarjet në veri të Kosovës, përkatësisht për ndërhyrjen e policisë së Kosovës në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Foto: Tuiter

 

QËNDRONI TË LIDHUR