• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kryeprokurori dhe prokurori publik i Izraelit: Nuk ka bazë për arrestimin e Netanjahut

Kryeprokurori dhe prokurori publik i Izraelit: Nuk ka bazë për arrestimin e Netanjahut

Jerusalem, 22 maj 2024 (MIA) - Kryeprokurorja e Izraelit, Gali Baharav - Mijara dhe prokurori shtetëror Amit Ajsman vlerësuan sot se kërkesa e kryeprokurorit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Kan për dhënien e urdhrave për arrestim të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Joav Galant është e pabazë.

Siç është bërë e ditur, GJNP nuk ka juridiksion të kërkojë urdhra për arrestim të liderëve izraelitë, sepse Izraeli është i aftë për hetim.

Kan kërkoi urdhër arrestim të Netanjahut dhe Galantit për krime në lidhje me luftën në Gazë, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve dhe përdorimin e urisë si mjet lufte. Ai po kërkon gjithashtu akuza kundër tre liderëve të Hamasit për sulmin e organizatës në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar që shkaktoi luftën.

Zyrtarët më të lartë gjyqësorë të Izraelit shpjeguan se gjyqësori izraelit "heton tërësisht të gjitha pretendimet e besueshme për shkelje të ligjit nga zyrtarët shtetërorë", duke shtuar se GJNP "nuk ka juridiksion për të hetuar këtë çështje".

Forcat e sigurisë, duke përfshirë IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), po bëjnë luftë me përkushtim të plotë ndaj rregullave të së drejtës ndërkombëtare, sipas një deklarate të përbashkët nga prokurori i përgjithshëm dhe kryeprokurori. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR