Kryengritësit kontrollojnë gjysmën e Alepos
- Kryengritësit e kryesuar nga grupi militant islamist, Hajat Tahrir al-Sham (HTC) ndërmorën kontrollin mbi gjysmën e qytetit Alepo, ndërsa me atë rast nuk hasën në kurfarë rezistence, kumtoi sot Observatori sirian për të drejta të njeriut.
- Post By Arta Bunjaku
- 12:28, 30 nëntor, 2024
Damask, 30 nëntor 2024 (MIA) - Kryengritësit e kryesuar nga grupi militant islamist, Hajat Tahrir al-Sham (HTC) ndërmorën kontrollin mbi gjysmën e qytetit Alepo, ndërsa me atë rast nuk hasën në kurfarë rezistence, kumtoi sot Observatori sirian për të drejta të njeriut.
"Aeroporti në Alepo dhe të gjitha rrugët të cilat çojnë në qytet janë të mbyllura", deklaroi një burim anonim.
Paraprakisht, Obsevatori sirian për të drejta të njeriut kumtoi se xhihadistët dhe aleatët e tyre mbrëmë e morën qytetin strategjik Sarakib nga forcat qeveritare. Sarakib është në krahinën Idlib, ndërsa me marrjen e tij kryengritësit do të mund ta pengojnë përparimin e regjimit drejt Alepos.
Organizata me seli në Londër, thekson se prej 27 nëntorit deri më sot janë vrarë 277 njerëz, prej tyre mbi 20 ishin civilë.
Kryengritësit e kryesuar nga HTC para tre ditëve kryen sulme në dhjetëra qytete dhe fshatra në provincën veriperëndimore Alepo, e cila është nën kontroll të Qeverisë së presidentit Bashar al Asad. Ata pohojnë se kanë filluar ofenzivë për "t'iu kundërvënë agresionit", duke e akuzuar Qeverinë dhe milicitë aleate për eskalim të armiqësive.
Ky është aksioni më i madh kundër Qeverisë siriane në vitet e kaluara dhe kryengritësit për herë të parë po luftojnë kundër forcave të presidentit Bashar al Asad në Alepo, pasi që armata siriane me ndihmë të Rusisë dhe të Iranit në ofenzivë të madhe i dëbuan nga qyteti në vitin 2016.
Aeroplanë sirianë dhe rusë dje kryen 23 sulme ajrore në afërsi të Idlibit, me ç'rast jetën e humbën katër civilë, ndërsa janë lënduar 19 persona.
"Forcat ajrore ruse po kryejnë sulme ndaj pajisjes dhe personelit të grupeve të armatosura ilegale, ndaj pozicioneve, rezervave dhe artilerisë së terroristëve", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, duke shtuar se në 24 orët e fundit ishin "eliminuar" 200 luftëtarë.
Idlibi është vatra e fundit e forcave opozitare, kryesisht të kontrolluara nga HTC, por gjithashtu është edhe vatër e fraksioneve kryengritëse të mbështetur nga Turqia. Luftimet në idlib në masë të madhe u ndërprenë në vitin 2020, kur Turqia dhe Rusia, aleati kryesor i Sirisë, ndërmjetësuan për ndërprerje të zjarrit për ta parandaluar presionin e qeverisë për ta kthyer provincën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov dje theksoi se është sulmuar sovraniteti i Sirisë dhe shprehi mbështetje për "Qeverinë e Sirisë shpejtë ta kthejë rendin".
Lufta civile në Siri filloi në mars të vitit 2011, ndërsa vlerësohet se mbi gjysmë milioni njerëz, kryesisht civilë, e humbën jetën në luftime, përderisa pothuajse gjysma e popullatës është zhvendosur. ab/
fotо: МIА arkivi