• e enjte, 18 korrik 2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të kërkojnë zgjidhje për krizën e fundit nesër në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të kërkojnë zgjidhje për krizën e fundit nesër në Bruksel
Prishtinë, 14 nëntor 2022 (MIA) - Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka udhëtuar pasditen e sotme për në Bruksel për një raund të ri negociatash me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën e shkaktuar nga braktisja e Institucioneve të Kosovës nga pjesëtarët e komunitetit etnik serb në veri të Kosovës. Mediat kosovare e kanë publikuar këtë informacion duke cituar deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Xhozep Borrell, i cili ka vlerësuar se kriza aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “kriza më e rëndë dhe më e rrezikshme” në dekadën e fundit.

"Mund të them se po përballemi me krizën më të rëndë dhe më të rrezikshme që nga viti 2013, në 10 vitet e fundit. Të dyja palët duhet të gjejnë një mënyrë për të ndaluar këto tensione", tha Borrell.

Ai ka bërë të ditur se nëse zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislimi dhe shefi i Zyrës Serbe për Kosovën, Petkoviq, arrijnë një progres, atëherë në Bruksel do të organizohet një takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Negociatorët kryesorë do të fillojnë të punojnë këtu në Bruksel për hapat e ardhshëm. Ata do të fillojnë punën sonte... Jam gati të takoj liderët nëse negociatorët arrijnë të gjejnë një zgjidhje para afatit të 21 nëntorit", deklaroi Borrell.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, serbët e Kosovës u larguan nga institucionet shtetërore dhe lokale në Kosovë pasi qeveria në Prishtinë vendosi të zbatojë sanksione për ata që nuk i zëvendësojnë targat e regjistrimit të lëshuara nga Serbia me targa të shënuara RKS - Republika e Kosovës.

Që nga fillimi i këtij muaji, organet e rendit kanë shqiptuar vërejtje për personat që nuk kanë ndërruar targa dhe nga 21 nëntori, sipas vendimit të qeverisë Kurti, do të shqiptohen gjoba. Kjo masë është paraparë të zgjasë deri më 21 prill, kur do të fillojë zbatimi i plotë i ligjit, përkatësisht do të ndalohet qarkullimi i automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë bërë të ditur se me shqiptimin e dënimeve do të fillojë "rezistenca e ashpër" ndaj autoriteteve në Prishtinë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR