• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kryeministrja e Bangladeshit lëshon vendin, armata merr kontrollin

Kryeministrja e Bangladeshit lëshon vendin, armata merr kontrollin

Daka, 5 gusht 2024 (MIA) – Kryeministrja e Bangladeshit Sheik Hasina sot i ka dhënë fund 15 viteve të qeverisjes me vendin duke u larguar pas disa javësh nga protestat vdekjeprurëse pasi armata paralajmëroi se do të formojë qeveri të përkohshme. Hasina ishte përpjekur që nga fillimi i korrikut për të ndalur protestat në nivel nacional kundër qeverisë së saj, por ajo u largua pas një dite brutale trazirash të dielën ku humbën jetën rreth 100 persona.

Shefi i armatës së Bangladeshit Vaker-Uz-Zaman sot bëri të ditur se do të "formojë qeveri të përkohshme" pasi kryeministrja dha dorëheqje dhe u largua nga kryeqyteti.

"Unë marr përgjegjësinë e plotë... Do të formojmë qeveri të përkohshme," tha gjenerali, megjithëse nuk u bë e qartë nëse ai do të drejtonte qeverinë kalimtare. Vaker iu drejtua kombit në televizionin shtetëror, duke shtuar se Hasina kishte dhënë dorëheqjen.

“Vendi ka vuajtur shumë, ekonomia është goditur, shumë njerëz janë vrarë, është koha të ndalet dhuna”, shtoi ai.

“Shpresoj që pas fjalimit tim situata të përmirësohet”.

Hasina (76 ) u largua nga vendi me helikopter, deklaroi një burim i afërt me të menjëherë pasi protestuesit u futën pallatin e saj në Daka.

Kanali 24 nga Bangladeshi transmetoi pamje të turmave që vraponin drejt kompleksit. Të tjerë thyen një statujë të babait të Hasinas, sheikut Muxhibur Rahma, heroit të pavarësisë së vendit.

Para se protestuesit të sulmojnë kompleksin, djali i Hasinas u bëri thirrje forcave të sigurisë të vendit të bllokonin çdo kontroll.

Forcat e sigurisë kanë mbështetur qeverinë e Hasinas gjatë trazirave, të cilat filluan muajin e kaluar kundër kuotave të punës në shërbimet civile dhe më pas u përshkallëzuan në thirrje më të gjera për dorëheqjen e saj.

Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare në të gjithë vendin e Azisë Jugore me rreth 170 milionë banorë. Të paktën 94 njerëz vdiqën dje përfshirë edhe 14 policë në ditën më vdekjeprurëse të trazirave në të cilat deri tani kanë vdekur më shumë se 300 njerëz.

Ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në janar 2007 pas trazirave të gjera politike dhe vendosi qeveri teknike të mbështetur nga ushtria për dy vjet.

Hasina më pas ka qeverisur me Bangladeshin që nga viti 2009 dhe fitoi zgjedhjet e katërta radhazi në janar, pas votimeve pa opozitë të vërtetë. Qeveria e saj është akuzuar nga grupet për mbrojtjen e të drejtave për keqpërdorim të institucioneve shtetërore për të forcuar pozitën e saj duke përfshirë edhe vrasjen jashtëgjyqësore të aktivistëve të opozitës.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR