• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kryeministri izraelit Netanjahu i miratoi planet për një operacion ushtarak në Rafah

Kryeministri izraelit Netanjahu i miratoi planet për një operacion ushtarak në Rafah

Tel Aviv, 15 mars 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i miratoi sot planet për një operacion ushtarak në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, njoftoi DPA, duke iu referuar zyrës së Netanjahut.

Përveç vendosjes operative, ushtria po përgatitet edhe për evakuimin e popullatës civile, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), pas mbledhjes së sotme të kabinetit ushtarak izraelit.

Vendimi vjen në mes të kritikave ndërkombëtare në rritje për operacionin e mundshëm në Rafah, pasi më shumë se një milion palestinezë janë strehuar në qytetin jugor, duke ikur nga luftimet në pjesë të tjera të Gazës.

Politikanët dhe organizatat e ndihmës po i bëjnë thirrje Izraelit të specifikojë se si dhe ku të gjithë 1.5 milionë njerëzit në Rafah do të jenë në gjendje të lëvizin të sigurt para se të fillojë operacioni ushtarak.

Netanjahu e përsëriti qëndrimin e tij se propozimi i grupit radikal palestinez Hamas për një armëpushim në Gaza është "jorealist" sepse kërkesat e grupit janë "ende absurde".

Në të njëjtën kohë, një delegacion izraelit udhëtoi në Doha pas debatit në kabinetin e sigurisë në lidhje me qëndrimin e Izraelit.

Katari po luan një rol udhëheqës në negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Grupi Hamas dje kumtoi se ka bërë një propozim të ri me të cilin kërkohet ndërprerja e luftimeve në Gazë, dërgimi i ndihmave për popullatën dhe lirimin e pengjeve nga Izraeli në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite. Megjithatë, Hamasi vazhdon të insistojë në tërheqjen e trupave izraelite nga enklava bregdetare, gjë që Izraeli refuzon ta bëjë.

Kanali televiziv arab Al Xhezira publikoi sot se Hamasi paraqiti një propozim prej tre fazash, secila prej të cilave zgjat 42 ditë. Hamasi e vuri kusht që një armëpushim i përhershëm të hynte në fuqi në fazën e dytë të planit, përpara lirimit të ushtarëve izraelitë. Për çdo ushtar izraelit propozohet lirimi i 50 të burgosurve palestinezë, 30 prej të cilëve janë dënuar me burgim të përjetshëm. ls/

Foto: Arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR