Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arrin në Sarajevë për konferencën për çështje rajonale
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet sot të arrijë në Sarajevë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) Adil Kulenoviq, kryetar i organizatës joqeveritare Asociacioni i intelektualëve të pavarur "Krug 99".
- Post By Arta Bunjaku
- 08:08, 5 dhjetor, 2024
Sarajevë, 5 dhjetor 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet sot të arrijë në Sarajevë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) Adil Kulenoviq, kryetar i organizatës joqeveritare Asociacioni i intelektualëve të pavarur "Krug 99".
Ai tha se Kurti vjen për të marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga ajo organizatë një ditë më vonë në Asamblenë e qytetit në Sarajevë, ku do të mbajë fjalim hyrës.
"Në këtë mbledhje do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale", tha Kulenoviq për REL.
Vizita e Kurtit në Sarajevë do të komplikojë ndjeshëm marrëdhëniet në Bosnje dhe Hercegovinë, deklaroi presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
"BeH nuk e njeh Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarëve nga ai rajon t’u lejohet hyrja me letërnjoftim, tha Dodik.
BeH dhe Kosova nuk kanë njohje të ndërsjelltë, prë shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska.
Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.
Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që do të mundësojë që qytetarët e këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnjës.
Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.
Qytetarët e Kosovës, që duan të udhëtojnë drejt Bosnjës do të duhen të pajisen me viza, "që lëshohen vetëm në raste të jashtëzakonshme", dhe duhet të miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës. Kërkesat për viza mund të dorëzohen në Shkup, Podgoricë dhe Beograd, ndërkaq pagesa për vizë është 31 euro.
Për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që duan të udhëtojnë në Kosovë kërkohet, ndër të tjera, një letër garancie ose rezervim hoteli, kontratë pune dhe certifikatë apo konfirmim se nuk janë të dënuar. Viza kushton 40 euro dhe dorëzohet në ambasadën e Kosovës në Zagreb. ab/