Kreshnik Ahmeti: Kosova me sukses e kaloi hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës
- - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti njoftoi se Kosova me sukses e ka kaluar votimin e sotëm në Komitetin e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, që njëherësh është edhe hapi i parë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Fitore Curri
- 23:22, 27 mars, 2024
Prishtinë, 26 mars 2024 (MIA) - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti njoftoi se Kosova me sukses e ka kaluar votimin e sotëm në Komitetin e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, që njëherësh është edhe hapi i parë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në një publikim në faqen e tij në Fejsbuk, Ahmeti informoi se pasdite mendimi i raportueses për procesin e aplikimit të Kosovës në KE, Dora Bakojani është miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit.
Ky mendim, sipas zëvendësministrit kosovar të Punëve të Jashtme, rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
"Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta", ka shkruar Ahmeti.
Ai paralajmëron se, "për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5".
"Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti. Teksti i opinionit dhe suksesi i sotëm janë rezultat i punës së pandalshme të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë", tha Ahmeti.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, bën të ditur zëvendës shefi i diplomacisë kosovare, "do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha bashkësive në vend". fc/