• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kremlini: Putini është i hapur për dialog me Sholcin

Kremlini: Putini është i hapur për dialog me Sholcin

 Moskë, 13 tetor 2024 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putini është i hapur për dialog me kancelarin gjerman Olaf Sholcin, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov për agjencinë ruse të lajmeve Interfaks.

 "Vazhdimisht deklarojmë se mbetemi të hapur për kontakt", tha Peskovi, por theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim nga pala gjermane për bisedë telefonike.

 Siç raporton DPA, Peskovi e tha këtë duke u përgjigjur  në deklaratën e ministres gjermane të Punëve të Jashtme, Analena Berbok, e cila të premten tha se Putini nuk dëshiron më as të flasë me kancelarin në telefon.

Sholci kohët e fundit ka theksuar se duhet të hulumtohen mundësitë  për paqe dhe ka raporte për një bisedë telefonike të planifikuar midis kancelarit gjerman dhe Putinit.

 Në fillim të tetorit, Peskovi tha se Putini ishte i hapur për dialog edhe pse, sipas tij, marrëdhëniet midis Moskës dhe Berlinit ishin efektivisht në fund - jo për shkak të Rusisë. Ai shtoi se "në sipërfaqe nuk ka çështje të përbashkëta".

 Sholci për herë të fundit bisedoi në telefon me Putinin në dhjetor të vitit 2022, kur ai bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike dhe tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina. Në qershor, Sholci tha se nuk mund të përjashtojë një bisedë me Putinin në të ardhmen, por theksoi se do të kishte kuptim vetëm nëse do të kishte diçka konkrete për të biseduar.

 

QËNDRONI TË LIDHUR