• e shtunë, 23 nëntor 2024

Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit në KE me Asociacionin është sinjal i keq për bashkësitë joshumicë

Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit në KE me Asociacionin është sinjal i keq për bashkësitë joshumicë

Prishtinë, 14 maj 2024 (MIA) - Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vlerësuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përfitojnë veçanërisht komunitetet joshumicë në shtet, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas Krasniqit, i cili është pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit nga radhët e bashkësisë egjiptiane, "kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga lidershipi aktual i Evropës, me Asociacionin e komunave me shumicë serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë". 

"Së pari, Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës. Me Kushtetutë, serbët e Kosovës e kanë të drejtën dhe lirinë e asociimit si çdo komunitet tjetër. Së dyti, me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Krasniqi në Fejsbuk. 

Sipas tij, "prioritizimi dhe insistimi në mekanizma e entitete një etnike rrezikon që në Kosovë të krijohet një superkomunitet joshumicë në Kosovë", ndërsa kjo, siç thotë "duke e shthurur kështu harmoninë kushtetuese që ekziston ndërmjet komuniteteve joshumicë". 

"Si qytetar i kësaj Republike e së dyti si egjiptian në Kosovë, kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë", ka shkruar Krasniqi. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR