• e enjte, 26 dhjetor 2024

KQ e Alternativës e autorizoi Gashin t'i fillojë bisedimet për bashkëpunimet potenciale në kuadër të opozitës shqiptare

KQ e Alternativës e autorizoi Gashin t'i fillojë bisedimet për bashkëpunimet potenciale në kuadër të opozitës shqiptare

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Kryesia Qendrore e Alternativës e autorizoi kryetarin e partisë Afrim Gashi t'i fillojë bisedimet për bashkëpunimet e ardhshme potenciale në kuadër të opozitës shqiptare, qoftë në kuadër të Kuvendit ose në kuadër të bashkëpunimeve të ardhshme evntuale të koalicionit, potencoi në deklaratë për mediat zëdhënësi i partisë, Orhan Murtezani.

"Kjo nga Alternativa konsiderohet si një hap në drejtim të bashkëpunimeve të ardhshme eventuale dhe drejt kësaj ka ardhur si rezultat i asaj që është dëgjuar zëri i elektoratit shqiptar në Maqedoni i cili tash e 20 vjet insiston për ndryshime", tha Murtezani pas përfundimit të takimit të Kryesisë Qendrore të Partisë.

Në pyetjen e gazetarëve deri ku mund të shkojë bashkëpunimi me Lëvizjen Besa dhe nëse mund të ketë ndonjë bashkëpunim koalicioni në zgjedhjet e ardhshme, Murtezani tha se nuk e kanë kufizuar se si do të rrjedhë ky bashkëpunim.

"Nuk e kufizuam rrjedhën e këtij bashkëpunimi. Prandaj Kryesia Qendrore e autorizoi kryetarin pa kurrfarë kufizimesh, qoftë për bashkëpunim në kuadër të Kuvendit ose për koalicione të mundshme parazgjedhore në të ardhmen. Jemi të gatshëm dhe të hapur për çfarë do lloj bashkëpunimi", tha ai.

Murtezani kumtoi se sonte në takimin e Kryesisë Qendrore të Alternativës është biseduar për temat aktuale lidhur me ndryshimet kushtetuese, me propozim-amendamentin e Alternativës për mosvjetrimin e korrupsionit politik, proceset eurointegruese.

I pyetur nëse me këtë dëshmojnë se i kanë tejkaluar përplasjet paraprake midis Besës dhe Alternativës, Murtezani deklaroi se nuk i kanë harruar dallimet politike që i kanë pasur në të kaluarën por edhe ato aktuale.

"Ne nuk i kemi harruar dallimet poltike kur kemi pasur bashkëpunim me partitë e tjera gjatë cikleve zgjedhore, as në këtë rast nuk i harrojmë dallimet politike që i kemi, por zëri i qytetarëve është shumë i qartë dhe kjo kërkohet në këtë rast, ta tejkalojmë veten dhe të mund të krijojmë hapësirë për të mundësuar realizimin e ndryshimeve politike në opozitën shqiptare", tha Murtezani.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR