• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: LSDM do të votojë në bazë të propozimit të Qeverisë dhe qëndrimit të deputetëve të ASH-së për ndryshimet kadrovike nga partia

Kovaçevski: LSDM do të votojë në bazë të propozimit të Qeverisë dhe qëndrimit të deputetëve të ASH-së për ndryshimet kadrovike nga partia

Shkup, 8 shkurt 2024 (MIA) - Grupi parlamentar i LSDM-së do të votojë në bazë të propozimit të Qeverisë lidhur me ndryshimet kadrovike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët dhe në bazë të qëndrimit të cilin do ta kenë edhe deputetët e ASH-së.

Këtë e deklaroi sot kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas vizitës në kompaninë Laplast - M.

"Në lidhje me marrëdhëniet në Aleancë do t'i pyesni në Aleancë, unë nuk mund të përgjigjem në emër të partisë tjetër. Nëse kanë dorëzuar propozim te kryetari i Qeverisë atëherë do ta pyesni kryetarin e Qeverisë se çfarë propozimi ka pranuar. Ndërsa për atë se si do të votojë grupi parlamentar i LSDM-së ai do të votojë në përputhje me propozimin i cili do të vijë nga ana e Qeverisë dhe gjithsesi në bazë të qëndrimit të cilin do ta kenë edhe deputetët e Aleancës. Megjithatë, për këtë ju thoni ndonjë komision kadrovik në Aleancë unë me të vërtetë nuk e di as komisionin kadrovik dhe si e kanë strukturën e partisë", tha Kovaçevski. 

Theksoi se deri më tani ka komunikuar me liderin e ASH-së, Arben Taravari edhe gjatë formimit të Qeverisë, por edhe para dy ditëve, ndërsa më parë kishin edhe takim të përbashkët në selinë e LSDM-së.

"Lidhur me paraqitjen në zgjedhje, ne edhe tani jemi në koalicion me partitë që janë pro vazhdimit të integrimit evropian të shtetit, përballë bllokut tjetër të partive politike, të cilat janë kundër vazhdimit të integrimit evropian të shtetit. Ata në fakt, e kanë dëshmuar këtë, VMRO-DPMNE, E majta dhe të tjerët gjatë viteve të kaluara, të tjerët edhe gjatë dekadave të kaluara, se asnjëherë nuk kanë marrë vendime për NATO-n dhe integrimin evropian të shtetit", deklaroi Kovaçevski.

Paraqitja në zgjedhje, theksoi, është vendim i organeve të partive, nëse do të dilet me lista të përbashkëta ose me lista me koalicione tradicionale të partnerëve të koalicionit. 

"Megjithatë, në fund të ditës ne do të kemi dy blloqe në të cilat njëri do të jetë për integrim evropian dhe tjetri do të jetë për izolim", konkludoi lideri i LSDM-së, Kovaçevski. 

I pyetur për bisedimet për lista të përbashkëta me BDI-në tha se proceset lëvizin drejt mbajtjes së zgjedhjeve korrekte dhe demokratike të koalicionit proevropian. 

"Për listat do të shohim kur do të marrin vendime organet e partisë të të gjitha partive", nënvizoi Kovaçevski.

Lidhur me anketat e fundit të publikuara në RTM, sipas të cilave VMRO-DPMNE ka përparësi të dyfishtë para LSDM-së, ndërsa opozita shqiptare është pas BDI-së tha se ajo është marrë nga një institut i afërt me partinë opozitare. 

"Dhe RTM në fakt vetëm po na kujton se si dukeshin mediat deri në vitin 2016, kështu që ndoshta duhet t'ia bëni këtë pyetje z.Gir, ambasadores amerikane, ambasadorit holandez sepse ata komentojnë shpesh për sa i përket demokracisë, lirisë së mediave, mënyrës së raportimit etj. Unë po ju them se kjo mund t'i kujtojë të gjithë plotësisht se si dukeshin mediat deri në vitin 2016", tha Kovaçevski. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR