• e enjte, 18 korrik 2024

Kovaçevski e uroi Kurban Bajramin

Kovaçevski e uroi Kurban Bajramin

Shkup, 28 qershor 2023 (MIA) - Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski me rastin e një prej festave më të mëdha fetare, Kurban Bajrami, i dërgoi urime kreut të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, reis-ul-ulema haxhi hfz. Shaqir efendi Fetai, anëtarëve të Rijasetit dhe të muftinisë, si dhe të gjithë pjesëtarëve të besimit mysliman. 

"Shënimi i kësaj feste, e cila është simbol i solidaritetit dhe mirëqenies, është në frymën e bashkëjetesës sonë shekullore të cilën e ndërtojmë me gjenerata. Festa e Kurban Bajramit na kujton të gjithë neve rëndësinë dhe madhështinë e ndarjes, dashurisë, ndaj të afërmve dhe respektit të ndërsjellë", bëhet e ditur në urimin e kryeministrit, të publikuar nga shërbimi informativ i Qeverisë. 

Në të potencohet se vetëm të bashkuar, mund ta mposhtim çdo sfidë dhe të vazhdojmë ta kultivojmë shoqërinë tonë si një shoqëri për të gjithë. 

Kryeministri porositi që këto ditë festive të kalojnë në paqe, dashuri dhe gëzime në shtëpitë. 

"Kjo ditë na afroftë edhe më shumë në përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar vlerat demokratike dhe evropiane në frymën e multikulturalizmit, për të cilin jemi të njohur në botë. Ashtu siç festohet kjo festë përmes unitetit të tryezës së përbashkët në rrethin e familjes, të afërmve dhe miqve, kështu le të jemi të bashkuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane", thekson kryeministri. fc/

Fotografia: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR