• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Koshta: Konteksti gjeopolitik kërkon një nxitje të re në bashkëpunimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor

Koshta: Konteksti gjeopolitik kërkon një nxitje të re në bashkëpunimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor

 Bruksel, 7 dhjetor 2024 (MIA) - Kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta u ka dërguar letër liderëve të BE-së në prag të takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian dhe Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahen në fund të këtij muaji në Bruksel. Ai theksoi se zgjerimi i BE-së është një investim i madh gjeopolitik dhe se konteksti momental gjeopolitik kërkon një nxitje të re për angazhimin e BE-së me vendet e rajonit.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 18 dhjetor, ndërsa temat kryesore do të jenë zbatimi i Planit të Rritjes, integrimi rajonal dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të integrimit gradual të rajonit në BE. Gjatë darkës së punës do të bisedohet për  sfidat e përbashkëta gjeopolitike.

 Më 19 dhjetor, Këshilli Evropian do të diskutojë për situatën në Ukrainë dhe për rolin e BE-së në kontekstin global.  Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski do të marrë pjesë për të ndarë informacione nga terreni dhe propozime për të mbështetur Ukrainën. Koshta theksoi se nevojitet një strategji e përbashkët për angazhimin global të BE-së.

 Ai nënvizoi se zgjerimi është një investim kyç gjeopolitik për BE-në dhe theksoi se BE-ja duhet të forcojë rolin e saj duke krijuar një rrjet më të gjerë të partnerëve, duke forcuar lidhjet transatlantike dhe duke avancuar marrëdhëniet me Britaninë e Madhe, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

 Foto: Arkivi 

 

QËNDRONI TË LIDHUR