• e enjte, 26 dhjetor 2024

Koreja e Veriut vazhdon me testime të raketave, dënime të ashpra nga Japonia dhe SHBA-ja

Koreja e Veriut vazhdon me testime të raketave, dënime të ashpra nga Japonia dhe SHBA-ja

Seul, 18 mars 2024 (MIA) - Koreja e Veriut sot në mëngjes ka gjuajtur disa raketa balistike me rreze të shkurtë veprimi drejt ujërave të saja lindore, njoftuan fqinjët e saj, duke bërë të ditur se kjo është kryer vetëm disa ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake koreanojugore - amerikane. 

Pheniani këto stërvitje i sheh si provë për pushtim në territorin e tij. 

Mëngjesin e sotëm prova e raketës e Koresë së Veriut ishte prova e parë e njohur pas rreth një muaji. Ekspertët më parë parashikuan se Koreja e Veriut do t'i zgjerojë testet e saj me raketa dhe do ta ashpërsojë retorikën e saj ushtarake para zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor që ta fuqizojë pozitën e saj në kontaktet e mundshme diplomatike.

Ministria japoneze e Mbrojtjes njoftoi se Koreja e Veriut ka gjuajtur tri predha, dy në orën 7 e 44 minuta të mëngjesit, ndërsa të tretën rreth 37 minuta më vonë. Kryeministri japonez Fumio Kishida në mbledhjen e parlamentit deklaroi se predhat e Koresë së Veriut kanë rënë në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë, jashtë nga zona ekskluzive ekonomike e Japonisë dhe se nuk është vërejtur rrezik ose të lënduar. 

Ai e dënoi testimin e raketave balistike si veprim që "e rrezikon paqen dhe sigurinë e Japonisë, rajonit dhe shoqërisë ndërkombëtare". 

Kishida tha se Japonia fuqishëm ka protestuar kundër aktiviteteve të testimeve me raketa të Koresë së Veriut, duke theksuar se kjo i shkel rezolutat e Këshillit të Sigurisë së KB-së me të cilat ndalohet që Pheniani të kryejë aktivitete balistike.

Ushtria e Koresë së Jugut, gjithashtu, njoftoi se ka zbuluar disa raketa balistike me rreze të shkurtë veprimi, të lansuara nga Koreja e Veriut sot në mëngjes. 

Shefi i Shtatmadhorisë së bashkuar të Koresë së Jugut në kumtesë theksoi se lansimi është "provokim i qartë" dhe e kërcënon paqen dhe stabilitetin e Gadishullit Korean. 

Siç shtohet, Koreja e Jugut theksoi se do ta ruajë gatishmërinë e saj që të refuzojë çfarëdo lloj provokimi nga Koreja e Veriut, në bazë të aleancës së saj të fuqishme ushtarake me SHBA-në.

Sipas vlerësimeve të Japonisë dhe Koresë së Jugut, predhat e Koresë së Veriut të gjuajtura nga zona reth kryeqytetit të saj kanë kaluar rreth 300 deri 350 kilometra dhe arritën vlerë maksimale prej 50 kilometra. 

Vëzhguesit thanë se gjatësia e fluturimit të raketave tregon se ata ishin armë të drejtuara ndaj objekteve kyçe në Korenë e Jugut, siç është shtabi ushtarak në rajonin qendror. 

Departamenti i Shtetit amerikan e dënoi lansimin e raketave, duke thënë se kjo përfaqëson kërcënim për fqinjët e Koresë së Veriut dhe e minon sigurinë rajonale. Në kumtesë thuhet se përkushtimi i SHBA-së për mbrojtjen e Koresë së Jugut dhe Japonisë mbetet i fuqishëm. 

SHBA-ja ka rreth 89.000 ushtarë në Korenë e Jugut dhe Japoni, shtylla e pranisë së tyre ushtarake në rajonin Aziatik - Paqësor. 

Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken sot arriti në Korenë e Jugut. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR