• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Koordinatori i KB-së për Lindjen e Mesme: Makthi në Gazë po intensifikohet

Koordinatori i KB-së për Lindjen e Mesme: Makthi në Gazë po intensifikohet

Jerusalem, 20 tetor 2024 (MIA) - Koordinatori special i KB-së për Lindjen e Mesme, Tor Venesland bëri të ditur sot se vazhdojnë “sulmet e pamëshirshme izraelite” në Gazë, ku nuk ka vend të sigurt për civilët dhe se “makthi për atë territor palestinez” po intensifikohet.

Venesland paralajmëroi gjithashtu për një krizë humanitare për shkak të konfliktit në pjesën veriore të Gazës.

Ai deklaroi se në sulmet izraelite mbrëmë në Beit Lahia kanë humbur jetën dhjetëra njerëz.

Kësaj i kanë paraprirë operacione të intensifikuara ushtarake në të cilat pati dhjetëra viktima në civilë, me mungesë pothuajse të plotë të ndihmave humanitare për banorët e veriut.

Përfaqësuesi i dënoi sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve, njoftuan agjencitë.

"Kjo luftë duhet të marrë fund, pengjet e mbajtura nga Hamasi duhet të lirohen, shpërngulja e palestinezëve duhet të ndalet dhe civilët duhet të mbrohen kudo që janë. Ndihma humanitare duhet të dorëzohet pa pengesa", thuhet në deklaratën e koordinatorit të KB-së për Lindjen e Mesme.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë sot kumtoi se 87 persona vdiqën ose u zhdukën nën rrënoja dhe 40 u plagosën pas sulmit në Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës.

Foto: arkivi i MIA-s

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR