• e enjte, 26 dhjetor 2024

Konjufca: Kërkesat e BE-së janë të njëjta me ato të Beogradit, ne nuk e pranojmë bosnjëzimin e Kosovës

Konjufca: Kërkesat e BE-së janë të njëjta me ato të Beogradit, ne nuk e pranojmë bosnjëzimin e Kosovës

Prishtinë, 16 shtator 2023 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke komentuar takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Bashkimi Evropian ka një qasje të pabalancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e djeshëm për media në Kuvend, ku u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, Konjufca ka kritikuar BE-në se kërkesat e saj ndaj Kosovës janë të njëjta me kërkesat e Serbisë në negociata.

"Jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë.  Qasja e BE-së është e pabalancuar, sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon neve vetë Serbia. Një kërkesë e tillë është ajo e dorëheqjes së kryetarëve të komunave (me shumicë serbe) pa asnjë procedurë. Të gjitha janë kërkesa të Serbisë, dhe fatkeqësisht BE-ja kërkon të njëjtën gjë nga ne. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë", tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit tha se Kosova nuk do të pranojë formimin e një komuniteti të komunave serbe që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

"Është e papranueshme për Kosovën...Përmes marrëveshjes së Ohrit (midis Kurtit dhe Vuçiqit) është përpjekur që me u rregullua marrëdhënia e jashtme Kosovë-Serbi dhe këtë e rregullon neni 2 i marrëveshjes së Ohrit ku thotë se shtetet do të funksionojnë si dy shtete sovrane sipas principeve të kartës së  Kombeve të Bashkuara. Dhe në këtë kuadër të transformimit të marrëdhënieve kur ato bëhën miqësore Kosova e themelon Asociacionin. Përndryshe Kosova nuk ka obligim që t'ia japë Asociacionin Serbisë dhe ne të mbetemi të panjohur nga ana e Serbisë e të luftohemi, kjo do të ishte katastrofike dhe me pasoja të mëdha", tha Konjufca.

Ai ka theksuar se Prishtina në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë "bosnjëzimin e Kosovës".

"Nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë me bashkësinë ndërkombëtare se kjo është një pozicionim që Kosova nuk heq dorë sepse po të hiqte dorë mund të çojmë në Bosnjëzimin e Kosovës. Populli e ka votuar VV-në për ta stopuar procesin e Bosnjëzimit të Kosovës", tha kryeparlamentari.

Sipas tij, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është pranuar nga qeveritë e kaluara dhe "nuk mund të kthehet në pikën zero".

"Ne e kuptojmë që Kosova nuk ka kapacitete ta kthejë në zero atë proces. Por, në mënyrë që ne të realizojmë obligimin tonë, a mund të na garantoni që Serbia nuk do ta përdor këtë mekanizëm për ta minuar shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk po jep garanci. Bashkësia ndërkombëtare duhet të na japë garanca të fuqishme jo vetëm fjalë", deklaroi Konjufca. ia/sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR