• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Konjufca: Dialogu ndodhet në një qorrsokak, Banjska ishte gozhda e fundit në arkivol

Konjufca: Dialogu ndodhet në një qorrsokak, Banjska ishte gozhda e fundit në arkivol

Prishtinë, 9 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një qorrsokak, për çka ka akuzuar palën serbe dhe se nuk sheh rrugëdalje nga kjo situatë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas seancës së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Konjufca para gazetarëve deklaroi se pikënisja e shkatërrimit të dialogut është sulmi terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë.

"Besoj se lidhur me perspektivën e dialogut, dialogu ndodhet tërësisht në një qorrsokak që s’po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku i ka kontribuuar Serbia me të gjitha veprimet e veta. Dialogu në formatin në të cilin është që nga viti 2011 u shkatërrua më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë, sepse informacionet që disponojnë bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet tona të sigurisë, përfshirë inteligjencën, tregojnë qartë se ky grup i madh prej qindra njerëz kishin mbështetjen e shtetit serb. Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit tha se faktorët ndërkombëtarë kanë qenë shumë të rezervuar sa i përket ndarjes dhe shpalosjes së rezultatit të hetimeve në sulmin terroristë në Banjskë.

Por sipas tij, ka një mospërputhje mes asaj që dinë dhe veprimeve të tyre.

"Në kuptimin gjeneral të këtyre informatave ne e dimë që faktorët ndërkombëtarë e din për mbështetjen e shtetit serb në sulmin e Banjskës.  Ne presim veprime në përputhje me atë që ata e dinë. Çka po shohim ne është një mospërputhje mes asaj që ata e dinë dhe veprimet e bashkësisë ndërkombëtare, sepse për ne është e çuditshme dhe e padrejtë që ne jemi ende nën sanksione". u shpreh Konjufca.

Ai tha se nuk pret që Kosova të përjashtohet nga procesi i Berlinit.

“Nëse ne diskriminohemi dhe ftohemi të marrim pjesë në bazë të pabarabarta me Serbinë, Kosova nuk e pranon. Shumë më mirë do të ishte që (emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel) Saracin dhe ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë  shumë ma shumë ta kishin mendjen psh te mungesa e ndonjë sanksioni sa i përket Serbisë", theksoi Konjufca. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR