• e enjte, 26 dhjetor 2024

Konjufca: BE-ja nuk ka kompetenca që t'i propozojë Kosovës draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Konjufca: BE-ja nuk ka kompetenca që t'i propozojë Kosovës draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Prishtinë, 1 mars 2024 (MIA) -  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar sot se nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian që t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“BE-ja nuk e ka kompetencë t’i propozojë asociacion Kosovës. Është gabim të mendohet se është kompetencë e BE-së neve veç me na caktu, e kompetencë e jona veç me dërgu në Kushtetuese”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, transmeton RTK.

Sipas tjj, obligative është vetëm marrëveshja e vitit 2013. "Jemi në fazë krejt të re. Ne po presim që të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit. E marrëveshja është pika e 7 edhe pse nuk përmendët por mund të kuptohet që ka lidhje me Asociacionin”, ka thënë Konjufca duke përfunduar se nëse marrëveshja është obligative 100 për qind “nuk do të ketë qare pa e zbatu secili”, tha Konjufca.

Ai tha se thirrja e Parlamentit Evropian që Bashkimi Evropian të ndërrojë qasjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në dialog, është gjeja më e duhur për Kosovën.

“Pas 24 shtatorit, gjëja më absurde që ka ndodh prej Bashkësisë Ndërkombëtare është që Kosovës t’i vazhdohen masat e ndërkohë Serbia e cila është vend drejtpërdrejt sponsorizues i këtij grupi terrorist e ka sulmuar Kosovën më 24 shtator, kjo është vërtetuar edhe prej informatave të ndryshme edhe ndërkombëtare edhe vendore që ky grup ka shfrytëzuar institucionet e sigurisë së shtetit të Serbisë për t’u trajnuar për të kryer përgatitje e tyre”, tha ai.

Duke shtuar se janë gjetur edhe lidhje të drejtpërdrejta të armatimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë dhe lidhjen e eksponentëve terrorist të lidhur drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë shtetëror të Serbisë.

“Tash ndërkombëtarët disa e thonë e disa nuk e thonë, disa e thonë në pëshpëritje, por kjo duhet të thuhet haptazi dhe në raporte që publikohen dhe që mbajnë Serbinë përgjegjëse për këtë sulm”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Kurse sa i përket peticionit, Konjufca tha se të gjithë janë pajtuar që zgjidhja të jetë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe është arritje e madhe sepse është menduar se në atë pjesë të vendit situata zgjidhet me dhunë dhe mjete të forcës, me bomba, plumba dhe djegieje të veturave, duke theksuar se ashtu republika e Kosovës nuk lejon.

QËNDRONI TË LIDHUR