• e shtunë, 23 nëntor 2024

Konflikti me grupin e mercenarëve Vagner - kriza më serioze e sigurisë në Rusi në 30 vitet e fundit

Konflikti me grupin e mercenarëve Vagner - kriza më serioze e sigurisë në Rusi në 30 vitet e fundit

Moskë, 24 qershor 2023 (MIA) - Konflikti në rritje midis udhëheqësisë ushtarake të Moskës dhe Evgenij Prigozhin, shef i grupit privat mercenar Vagner, ka shpërthyer në kryengritje të hapur, duke e zhytur Rusinë në pasiguri dhe në kërcënimin e madh nga lufta civile.

Kthesa dramatike e ngjarjeve filloi të premten kur Prigozhin e akuzoi hapur ushtrinë ruse për sulmimin e kampit të Vagner dhe vrasjen e "një numri të madh" të njerëzve të tij. Ai u zotua se do të kundërpërgjigjet me forcë, duke nënkuptuar se forcat e tij do të "shkatërrojnë" çdo rezistencë, duke përfshirë bllokimet e rrugëve dhe avionët. Prigozhin paralajmëroi një marshim në Moskë. Presidenti rus Vladimir Putin e vlerësoi si "tradhti".

Prigozhin më vonë tha se kritikat e tij ndaj udhëheqjes ushtarake ruse ishin një "marshim drejtësie" dhe jo një grusht shteti.

Kriza më pas u thellua kur Prigozhin tha se luftëtarët e tij kishin hyrë në rajonin e Rostovit të Rusisë dhe kishin pushtuar instalimet kryesore ushtarake në kryeqytetin e saj. Ai qytet, Rostov mbi Don, është selia e Komandës ushtarake jugore të Rusisë dhe shtëpia e rreth një milion njerëzve.

Putini paralajmëroi sot se tradhtia kundër sundimit të tij kërcënon Rusinë me luftë civile dhe në të njëjtën kohë, forcat ruse nisën një operacion për t'u përballur me kryengritjen e grupit mercenar Vagner.

Ngjarjet që u përshkallëzuan me shpejtësi shënojnë sfidën më serioze për sundimin e gjatë të shefit të Kremlinit dhe krizën më serioze të sigurisë të Rusisë që kur ai erdhi në pushtet në fund të vitit 1999.

Shefi i Vagnerit, Evgenij Prigozhin, deri vonë një aleat i ngushtë i Putinit, tha se trupat e tij kishin marrë kontrollin e një qendre komanduese ushtarake dhe bazave në qytetin jugor të Rostov mbi Don, qendra nervore e ofensivës së Rusisë në Ukrainë, dhe u zotua për rrëzimin e kreut ushtarak të Moskës.

Më tej në veri, në rutën e mundshme të Vagnerit drejt Moskës, guvernatori i rajonit rus Voronezh tha se forcat ushtarake kanë filluar "operacion kundërterrorist" për ta shtypur kryengritjen. Një depo me karburante në qytetin Voronez është në flakë.

Shërbimi i sigurisë FSB e akuzoi Prigozhin se ka tentuar të fillojë "konflikt civil" dhe ju bëri thirrje luftëtarëve të Vagnerit ta arrestojnë.

Në një fjalim televiziv, Putini e akuzoi Prigozhinin - ushtria private e të cilit siguroi trupa për ofensivën e Moskës në Ukrainë - se "e kishte goditur me thikë pas shpine", gjë që sipas tij përbën një kërcënim për mbijetesën e vetë Rusisë.

"Çdo trazirë e brendshme është një kërcënim vdekjeprurës për shtetësinë tonë dhe për ne si komb. Kjo është një goditje për Rusinë dhe popullin tonë, tha Putin. Kjo betejë, kur të vendoset fati i popullit tonë, kërkon unitetin e të gjitha forcave...Ambiciet ekstravagante dhe interesat personale çuan në tradhti, vuri në dukje lideri rus, duke iu referuar Prigozhinit, i cili tani e udhëheqë një forcë ushtarake private.

“Të gjithë ata që zgjodhën me vetëdije rrugën e tradhtisë, që përgatitën një rebelim të armatosur, zgjodhën shantazhin dhe metodat terroriste, do të vuajnë dënimin e pashmangshëm, para ligjit dhe popullit tonë”, premtoi Putin.

Fjalimi i presidentit rus erdhi menjëherë pasi Prigozhini e publikoi mesazhin e tij, të regjistruar me sa duket në Rostov mbi Don, duke akuzuar udhëheqësinë ushtarake ruse për tradhti dhe dështim në betejën e vazhdueshme kundër forcave ukrainase.

“Një territor i madh është humbur. Ushtarët janë vrarë, tre, katër herë më shumë se sa është shkruar në dokumentet e treguara nga kreu," tha ai, duke akuzuar komandantët se fshehin shkallën e vërtetë të humbjeve ruse në Ukrainë nga Kremlini.

"Lokacionet ushtarake në Rostov, përfshirë aeroportin, janë nën kontroll," tha ai, duke shtuar se avionët ushtarakë që marrin pjesë në ofensivën në Ukrainë "po i kryejnë detyrat normalisht".

Në Ukrainë, shërbimet e urgjencës thanë se tre persona u vranë dhe gati një dhjetëra u plagosën në Kiev pas asaj që autoritetet thanë se ishte një sulm nga 40 raketa ruse dhe të paktën dy sulme me dron.

Pas fjalimit të Putinit në të cilin e akuzoi për tradhti, Prigozhin u përgjigj: Për tradhtinë e atdheut: presidenti e ka shumë gabim. Ne jemi patriotë të atdheut tonë. “Askush nuk planifikon të dorëzohet me kërkesë të presidentit, FSB-së apo dikujt tjetër”.

Selia e Rusisë në Rostov mbi Don është një bazë logjistike kyçe për ofensivën e saj në Ukrainë.

Duke parë se si po vijonin ngjarjet në Rusi ndërsa forcat e tij po kryenin një kundërofensivë me lëvizje të ngadaltë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se kryengritja tregoi se përpjekjet ruse po dështonin. Dobësia e Rusisë është e dukshme. Dobësi totale, tha ai. 

Fotot në media treguan burra të armatosur që rrethonin ndërtesat administrative në Rostov dhe tanke të vendosura në qendër të qytetit. Nuk është e qartë se cilët janë personat e armatosur.

Kryebashkiaku i Moskës njoftoi se në kryeqytet po ndërmerren masa "anti-terroriste" dhe autoritetet thanë se siguria ishte rritur në disa rajone.

Objektet kritike janë "nën mbrojtje të shtuar", njoftuan mediat ruse, duke cituar një burim nga organet e zbatimit të ligjit.

Një gjeneral i shquar rus i bëri thirrje Prigozhinit të ndalonte përpjekjet për të zëvendësuar udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes. "Unë ju bëj thirrje të ndaloni," tha Sergej Surovikin, komandanti i Forcave Ajrore Ruse.

Në ndërkohë, lideri çeçen Ramazan Kadirov kumtoi se ushtarët e tij janë nisur drejt Rostovit dhe Voronezhit për t'i ndihmuar trupat e Moskës.

Presidenti i SHBA-së Xho Bajden është informuar për situatën në Rusi dhe Uashington dhe "do të konsultohet me aleatët dhe partnerët për këto zhvillime", tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adam Hoxh.

Franca dhe Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe thanë se po i monitoronin nga afër ngjarjet në Rusi.

Ndryshe, Prigozhin e njeh Putinin që nga vitet 1990. Ai u bë një oligark i pasur duke fituar kontrata hotelierike fitimprurëse nga Kremlini, me ç'rast e mori pseudonimin "kuzhinieri i Putinit".

Transformimi i tij në një komandant lufte brutal erdhi në vazhdën e lëvizjeve separatiste të mbështetura nga Rusia në vitin 2014 në Donbas në Ukrainën lindore, shkruan Si-En-En. Prigozhin e themeloi Vagnerin si një grup sekret mercenar që gjithashtu luftoi në Ukrainën lindore dhe, gjithnjë e më shumë, luftoi për kauza të mbështetura nga Rusia në mbarë botën.

Si-En-En ka të dhëna për praninë e mercenarëve Vagner në Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan, Libi, Mozambik, Ukrainë dhe Siri. Gjatë viteve ata kanë zhvilluar një reputacion veçanërisht të tmerrshëm dhe janë lidhur me shkelje të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Prigozhin erdhi veçanërisht në fokusin e publikut ndërkombëtar pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

Mospajtimet e tij me udhëheqësinë ruse shpërthyen në publik gjatë Betejës së errët dhe të pamëshirshme të Bakhmutit, gjatë së cilës ai vazhdimisht akuzoi udhëheqjen ushtarake se nuk i furnizonte trupat e tij me municion të mjaftueshëm.

Putini e krahasoi atë që ai tani përballet me Revolucionin rus të vitit 1917, kur bolshevikët përmbysën Carin rus Nikollaj II në mes të Luftës së Parë Botërore, duke e zhytur vendin në luftë civile dhe përfundimisht duke hapur rrugën për krijimin e Bashkimit Sovjetik.

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR