• e diel, 06 tetor 2024

Konfindustria kërkon nga Parlamenti shqiptar që të mos e votojë marrëveshjen për portin e Durrësit pa u parë përfitimi ekonomik publik

Konfindustria kërkon nga Parlamenti shqiptar që të mos e votojë marrëveshjen për portin e Durrësit pa u parë përfitimi ekonomik publik
Tiranë, 23 nëntor 2022 (MIA) - Para mbledhjes së nesërme të parlamentit, në të cilën në rend dite është marrëveshja për portin e Durrësit, Konfindustria shqiptare sot dërgoi kërkesë në shtëpinë ligjvënëse që të mos miratohet dokumenti pa u parë paraprakisht përfitimet ekonomike nga projekti. "Konfindustria kërkon, që Kuvendi i Shqipërisë të mos miratojë Marrëveshjen e Portit të Durrësit pa u njohur dhe vlerësuar paraprakisht leverdishmërinë ekonomike  të projektit, parë nga këndvështrimi i interesit publik. Gjithashtu, kërkohet përfshirja e garancive ligjore, të domosdoshme në rastin e mosplotësimit të pritshmërive financiare dhe/ose shkeljeve të mundshme të marrëveshjes nga koncesionari", tha njeriu i parë Gjergj Buxhuku. Sipas tij pjesë e domosdoshme e projektit të fisibilitetit duhet të jetë përfshirja jo vetëm e kostos dhe kohës së ndërtimit të Portit të Ri të Durrësit, por edhe humbjet financiare, që do ti shkaktohen ekonomisë kombëtare nga flukset e munguara të trafikut dhe rritja e mundshme e kostove të përpunimit të mallrave të gjithë sektorëve industrialë dhe bizneseve. "Në rast të kundërt, Shqipëria rrezikon të humbasë dhe/ose të zhvlerësojë ndjeshëm një nga përparësitë kryesore strategjike konkurenciale afatgjata të saj si industria e transportit detar të mallrave, duke favorizuar portet e tjera të rajonit në Greqi, Malin e Zi, etj. Gjithashtu, rrezikohet drejtpërdrejtë zhvleftësimi i financimeve të mëdha të derisotme të kryera në infrastrukturën rrugore, që kanë pasur Portin e Durrësit si shtyllë mbështetëse fisibiliteti. Vlerësojmë, se vetëm në rrjetin rrugor të autostradave nga Shqipëria dhe Kosova janë kryer 5-6 miliardë euro investime të deritashme", theksoi ai. Konfindustria vlerëson gjithashtu, se 80 ha ose më shumë truall i Portit të Durrësit, që derdhet si kontribut shtetëror në natyrë, në mungesë të garancive ligjore do të kthehen menjëherë nga pasuri e shtetit shqiptar në pronë private të kompanisë koncesionare, që në çastin e themelimit të saj. "Si i tillë, në rast mosmarrëveshjes së mundshme dhe në mungesë të garancive ligjore të qarta të parashikuara në Marrëveshje dhe gjithë aktet ligjore përkatëse, trualli portual nuk do të ketë asnjë mundësi për tu rikthyer si pronë shtetërore, përvecse vendimit të Gjykatave Ndërkombëtare", vlerësoi Buxhuku. Sipas Qeverisë një kompani nga Dubai portin e Durrësit do ta shndërrojë në portin më të bukur në Mesdhe ,e investim që kushton dy miliardë euro. Projektin e kritikon edhe opozita për shkak të mungesës së transparencës në procedurë dhe akuzon se po i jepet hapësirë e madhe pa kurrfarë dobie për shtetin. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR