• e martë, 24 dhjetor 2024

Konferencë: Të rinjtë të marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje, nevojiten kushte që të ardhmen ta ndërtojnë në shtëpi

Konferencë: Të rinjtë të marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje, nevojiten kushte që të ardhmen ta ndërtojnë në shtëpi

Shkup, 12 gusht 2024 (MIA) - Të rinjtë duhet të jenë në fokus të vendimmarrjes në nivel lokal dhe kombëtar, duke pasur parasysh nevojat dhe interesat e tyre. Të vetëdijshëm për largimin në rritje të të rinjve jashtë vendit dhe alarmin se të rinjtë kërkojnë të ardhmen e tyre diku jashtë, është koha që shteti të ndërmarrë masa dhe aktivitete për të parandaluar këtë trend negativ, është konkluduar mes tjerash në konferencën e sotme të organizuar nga Unioni nacional i të rinjve së Maqedonisë (UNRM) "Komunat mike të të rinjve - Pjesëmarrja e të rinjve në fokus", që u mbajt në Shkup me rastin e Ditës ndërkombëtare të të rinjve - 12 gusht.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani në konferencën e sotme theksoi se të rinjtë janë në fokus të Programit të punës së qeverisë nga viti 2024 deri në vitin 2028, ku potencohet përkushtimi i saj i fuqishëm për krijimin e një shoqërie në të cilën të rinjtë mund të përparojnë.

Siç përmendi ai, qëllimet e qeverisë janë krijimi i kushteve të nevojshme për të rinjtë e vendit për të ndërtuar një të ardhme në vend, për t'i forcuar ata përmes edukimit dhe zhvillimit të aftësive, për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe promovimin e sipërmarrësisë dhe inovacionit.

Limani theksoi se prioritet i kësaj Qeverie është ofrimi i vendeve të sigurta të punës dhe vendeve më të paguara të punës për të rinjtë në vend duke krijuar një klimë më të mirë biznesi dhe duke hapur vende të reja pune.

"Mendoj se floskulat, e ardhmja e të rinjve dhe bota është e të rinjve duhet të kthehen më në fund në veprime dhe jo vetëm që e ardhmja u përket të rinjve, por edhe e tashmja është e të rinjve. Sepse sot krijojmë politikat dhe çfarë krijojmë sot varet se çfarë të ardhme do të kenë gjeneratat e ardhshme që do të duhet të jetojnë në këtë vend", ka thënë Limani.

Sipas Limanit, janë të rinjtë ata që mund të kontribuojnë në ndërtimin e politikave lokale gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Ai rikujtoi se në vitin 2020 për herë të parë në vendin tonë është miratuar Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore i cili garanton pjesëmarrjen e të rinjve dhe njeh të rinjtë dhe format e organizimit të të rinjve. Siç theksoi ai, me këtë zgjidhje ligjore sa i përket pjesëmarrjes së të rinjve, parashikohen mekanizma në nivel kombëtar dhe lokal duke përfshirë të rinjtë në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.

Sipas kryetarit të UNRM-së, Filip Ivkovski, të rinjtë nuk duhet të jenë në fokus vetëm në Ditën botërore të rinisë, por ata duhet të jenë në fokus të vendimmarrjes në nivel lokal dhe nacional, duke pasur parasysh nevojat dhe interesat e tyre.

Siç shtoi ai, trendi i pakënaqësisë së të rinjve në shoqëri për standardin e tyre jetësor është në rritje dhe po rritet edhe dëshira për t'u larguar nga vendi.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR