• e enjte, 26 dhjetor 2024

Konferencë e BE-së për shëndetin mendor gjatë punës

Konferencë e BE-së për shëndetin mendor gjatë punës

Bruksel, 30 janar 2024 (MIA) - Në organizim të kryesimit belg me BE-në, sot në Bruksel do të nisë një konferencë dyditore kushtuar shëndetit mendor në mjediset e punës.

Në Konferencë është njoftuar pjesëmarrja e zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian për promovimin e mënyrës evropiane të jetesës, Margaritis Shinas, eurokomisarëve për Punësim dhe të Drejtat Sociale dhe për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, Nikollas Shmit dhe Stella Kiriakides, dhe ministrat e shëndetësisë dhe të punës nga disa vende anëtare të BE-së, ekspertë të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian, Agjencisë Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (BE-OSHA), Fondacioni për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe Punës (Eurofund), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe partnerët socialë të Unionit.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, sot pjesëmarrësit do të fokusohen në parandalimin e rreziqeve psikosociale, stresit dhe rraskapitjes profesionale në punë.

Mbledhja do të fillojë me fjalimet hyrëse të Shinas dhe Kiriakides, të cilët thuhet se do të fokusohen në qasjen e përgjithshme të Komisionit Evropian ndaj shëndetit mendor. Në seancën e punës së Konferencës do të flasë Shmit, i cili do të flasë për rreziqet psikosociale në punë.

Nesër, Konferenca do të fokusohet në çështjet që lidhen me krijimin e një tregu gjithëpërfshirës të punës për personat me çrregullime mendore, si dhe një qasje të integruar ndaj shëndetit mendor në punë.

Rezultatet e një sondazhi të fundit të Eurobarometrit tregojnë se pandemia Kovid-19, agresioni rus kundër Ukrainës dhe ndryshimet klimatike kanë pasur një ndikim negativ në shëndetin mendor në Evropë.

Sipas studimit të BE-OSHA nga viti 2022, çdo i katërti punëtor në BE pretendon se ndjen stres në lidhje me punën e tij.

Në qershor të vitit 2023, Komisioni Evropian miratoi një Plan për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit mendor, i cili parashikon 20 nisma për zbatimin e të cilave janë ndarë 1.23 miliardë euro. Plani thekson se trajtimi i shëndetit mendor është po aq i rëndësishëm dhe serioz sa ai fizik dhe se është i nevojshëm ballafaqimi me rreziqet psikosociale në punë. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR