• e diel, 10 nëntor 2024

Komiteti i Përhershëm i AP-së së PBEJL-së: U prezantuan prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut

Komiteti i Përhershëm i AP-së së PBEJL-së: U prezantuan prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 15 dhjetor 2023 (MIA) -  Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (AP e PBEJL) u mbledh sot në Shkup, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për prioritetet e Kryesimit të vendit tonë me këtë proces (2023-2024) dhe për qasjen e re të strategjisë SEE2030, njoftojnë nga Kuvendi.

Siç theksojnë nga shtëpia ligjvënëse, duke hapur këtë ngjarje, deputeti Martin Kostovski, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, tha se mbledhja e sotme është në kuadër të aktiviteteve të rregullta të AP-së së PBEJL-së dhe është në favor të forcimit dhe avancimit të bashkëpunimit në EJL.

Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme foli sekretari shtetëror Filip Tosevski, i cili theksoi se ky vit ishte shumë i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila kishte nderin t'i kryesonte tri organizata të rëndësishme, përfshirë edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE-së, si dhe PBEJL-së dhe me grupin SHBA – Karta e Adriatikut (A5), informojnë nga Kuvendi.

Ai tha gjithashtu se bashkëpunimi rajonal është faktor shumë i rëndësishëm për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe për arritjen e stabilitetit ekonomik në rajon, veçanërisht nëse merren parasysh aspiratat evropiane të vendeve që ende nuk janë pjesë e BE-së.

Arsllan Umut Ergezer, koordinator i Strategjisë SEE2030 nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, e prezantoi qasjen e re në zbatimin e këtij dokumenti, i cili daton nga viti 2021.

"Në dy vitet e fundit, siç tha Ergezer, është punuar në zbatimin e Strategjisë, gjatë së cilës janë realizuar më shumë projekte me rëndësi për rajonin dhe për vendet anëtare të procesit, në konsultime me parlamentet, komunitetet akademike dhe organizatat tink-tenk. Në dy vitet e ardhshme, përfundoi ai, duhet t'i përkushtohemi monitorimit të zbatimit dhe përcaktimit të nevojës për projekte të tjera që do të siguronin rritje më të madhe ekonomike dhe tejkalimin e shkallës së varfërisë, ndalimin e proceseve të migrimit, sigurinë njerëzore si segment kryesor të sigurisë territoriale", theksoi Ergezer.

Nga Kuvendi theksojnë se përfaqësuesi nga Ankaraja, deputeti Refik Ozen, inicioi formimin e sekretariatit të përhershëm të PBEJL-së, duke vlerësuar se me forcimin e bashkëpunimit rajonal, forcohet edhe stabiliteti dhe ekonomia në vendet që janë pjesë e procesit.

"Përfaqësuesi nga Athina, Kostadinos Karakunis, duke shprehur mbështetjen për anëtarësimin e rajonit në BE, theksoi gjithashtu se roli i PBEJL-së është veçanërisht i rëndësishëm për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ai e theksoi shembullin midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si dëshmi se bashkëpunimi dhe dialogu kontribuojnë në realizimin e qëllimeve strategjike të vendeve", kumtojnë nga Kuvendi.

Gjatë mbledhjes, deputeti Kostovski informoi edhe për pjesëmarrjen në Sesionin e 42-të të Kuvendit të Balltikut, më 23 dhe 24 nëntor të këtij viti në Talin të Estonisë, ku, siç tha ai, të pranishmit u njoftuan për prioritetet e kryesimit të PBEJL-së, gjatë së cilës u theksua se ato përkojnë kryesisht me prioritetet e Kryesimit Estonik të Asamblesë Balltike dhe Këshillit Balltik të Ministrave.

Kostovski njoftoi se mbledhja e radhës e këtij forumi do të organizohet në kuadër të Sesionit të 11-të Plenar që do të mbahet në pranverë. sa/

Foto: Kuvendi

QËNDRONI TË LIDHUR