• e enjte, 26 dhjetor 2024

Komente të gazetave perëndimore për shkarkimin e ministrit ukrainas të Mbrojtjes Reznikov

Komente të gazetave perëndimore për shkarkimin e ministrit ukrainas të Mbrojtjes Reznikov

Londër, 4 shtator 2023 (MIA) - “Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dje paralajmëroi se do të ndërrojë ministrin e mbrojtjes të vendit, ndërsa si arsye e ka përmendur nevojën për “qasje të reja” në luftën që po vazhdon prej më shumë se 18 muajsh, shkruan Nju Jork tajms. Kjo përfaqëson kthesën më të madhe në udhëheqjen ushtarake të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë, vëren botimi.

Fati i ministrit të mbrojtjes është subjekt i spekulimeve të shtuara në Ukrainë pasi parregullsitë financiare në ministri dolën në dritë dhe qeveria nisi disa hetime për korrupsion midis zyrtarëve të saj, raportoi gazeta.

Javët e fundit ka pasur shumë spekulime për të ardhmen politike të Reznikov, duke përfshirë nëse ai do të marrë një rol diplomatik si ambasador në Britaninë e Madhe, shkruan Nju Jork tajms. Në mesazhin e Zelenskit, megjithatë, nuk përmendet emërimi i ri i Reznikov, thekson Nju Jork tajms.

Reznikov nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në skandalet në ministrinë e tij dhe ndihma nga vendet perëndimore nuk u prek, por me shkarkimin e tij, Zelenski po përpiqet të sigurojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë se mbështetja e tyre nuk do të keqpërdoret, shkruan Uashington Post. Ministri i Mbrojtjes luan një rol kyç në negociatat me vendet e tjera për të ofruar ndihmë, përfshirë armatimin.

Rustem Umerov, i zgjedhuri i Zelenskit si ministër i ri i Mbrojtjes, do të marrë postin në një moment vendimtar, shkruan gazeta britanike “Telegraf”. Disa nga aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë filluar të kritikojnë Kievin se nuk ka bërë më shumë përparim në kundërsulmin e tij, i cili filloi tre muaj më parë dhe mbështetet nga një sasi e madhe e pajisjeve ushtarake perëndimore, sigurimi i të cilave i atribuohet kryesisht Reznikovit.

Spekulimet se Reznikov do të humbiste punën e tij filluan në fillim të këtij viti, pas një hetim zbuloi se Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës paguante për furnizimin me ushqime për ushtarët me çmime të larta, transmeton Telegrafi.

Reznikov mohon se ka bërë diçka të gabuar dhe në disa raste ka deklaruar se është shënjestër e një fushate shpifjesh, shkruan Guardian. Largimi i tij duket se synon t'i japë fund presionit prej muajsh mbi mediat ukrainase që filluan pasi u publikuan rezultatet e një hetimi në departamentin e tij, komentoi gazeta. Edhe pse ai nuk ishte i përfshirë personalisht në marrëveshjen e furnizimit me ushqime, disa komentues ukrainas thanë se ai duhet të marrë përgjegjësinë politike për atë që ndodhi.

Megjithatë, Reznikov konsiderohet një person që ka ndërtuar marrëdhënie të forta me ministrat e mbrojtjes dhe zyrtarët ushtarakë nga vendet aleate të Ukrainës, shkruan Guardian. Ai është bërë një nga ukrainasit më të shquar të profilit të lartë, duke përfaqësuar Ukrainën në takimet e NATO-s dhe dhjetëra takime dypalëshe për të siguruar financime me vlerë miliarda dollarë, si dhe pajisje moderne për të luftuar Rusinë, tha gazeta. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR