• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Koks: Ekziston rrezik i madh nga përdorimi i armëve bërthamore në Evropë

Koks: Ekziston rrezik i madh nga përdorimi i armëve bërthamore në Evropë

Bruksel, 1 tetor 2023 (MIA) - Drejtoresha e Drejtorisë për Politikë Bërthamore në NATO, Xhesika Koks, deklaroi sot se ekziston rrezik i madh që armët bërthamore të përdoren në Evropë.

"Rusia po kërcënon me armë bërthamore. Ne shohim Vladimir Putinin dhe zyrtarë rusë duke komentuar për këtë çështje. Po hyjmë në një kohë kur rreziku i përdorimit të armëve bërthamore po rritet në Evropë. Ne duhet t'i marrim shumë seriozisht të gjitha këto veprime dhe kërcënime ruse", tha Koks për gazetën finlandeze "Ilta Sanomat".

Megjithatë, sipas saj, edhe krahas retorikës së ashpërsuar për momentin nuk ka ndryshime të mëdha në politikën bërthamore të Rusisë nga fillimi i konfliktit në Ukrainë. 

"Është e rëndësishme të dihet se armët bërthamore ruse janë gjithmonë në gatishmëri. Megjithëse nuk ka ndryshime të rëndësishme, ne nuk duhet të relaksohemi", tha Koks.

Ajo shtoi se është e sigurt se presidenti rus Vladimir Putin do të përdorë armë bërthamore nëse gjërat ecin keq që Moska ta ndryshojë rezultatin nga lufta. 

"Është një skenar vërtet i rrezikshëm të mendosh se armët bërthamore do të përdoren për herë të parë në më shumë se 70 vjet. Ne jemi vazhdimisht të shqetësuar për këtë skenar. Megjithatë, për momentin ne nuk i shohim gjërat të zhvillohen në atë drejtim", tha Koks.

Ajo theksoi se NATO për momentin nuk planifikon kurrfarë ndryshime në lidhje me bazat për armë bërthamore në Evropë. 

"Unë e di se po flitet shumë për këtë në media, por mendoj se armët bërthamore që SHBA ka vendosur në Evropë janë në një vend të mirë dhe nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar vendndodhjen e tyre", shtoi Xhesika Koks, drejtoreshë e Drejtorisë së NATO-s për politikën bërthamore. fc/

Fotografia: X

QËNDRONI TË LIDHUR