• e enjte, 26 dhjetor 2024

Koalicioni qeveritar është stabil, nuk pres ndryshime te partitë proevropiane për ndryshimet kushtetuese, thotë Kovaçevski për MIA-n

Koalicioni qeveritar është stabil, nuk pres ndryshime te partitë proevropiane për ndryshimet kushtetuese, thotë Kovaçevski për MIA-n

Shkup, 6 gusht 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski konsideron se koalicioni qeveritar është stabil dhe nuk pret ndryshime në drejtim të veprimit të partive proevropiane lidhur me ndryshimet kushtetuese.

Në intervistën për MIA-n lidhur me atë se a do të ndikojnë përplasjet në BDI, ndarja e anëtarëve, themelimi i një subjekti të ri politik nga Izet Mexhiti në stabilitetin e koalicionit dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese, ai beson se të gjitha partitë parlamentare dhe të gjithë deputetët individualisht “janë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit historik dhe korrektësinë në marrjen e vendimit të duhur e cila do ta trasojë rrugën tonë evropiane”.

"Kuvendi është vendi ku në të kaluarën kemi marrë vendime kyçe që kanë përcaktuar fatin dhe të ardhmen e vendit. Kështu do të jetë edhe tani. Deputetët duhet të mendojnë mirë dhe të sjellin një vendim historik – nëse do të japin votën e tyre për Evropën apo do të votojnë për izolim, nëse do të vendosin për një të ardhme dhe prosperitet më të mirë apo për të mbetur në në të kaluarën", thekson kryeministri.

Lidhur me listën e zezë të SHBA-së, zgjerimin e saj me funksionarë të BDI-së, konkretisht kryetarin e Strugës Ramiz Merko, me Orce Kamçevin dhe në përgjithësi problemin e korrupsionit dhe mosndëshkimin në nivel të lartë, Kovaçevski thotë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për të bëmat.

"Institucionet kanë përgjegjësi të kontrollojnë pretendimet për aktivitete të mundshme korruptive nga çdo individ dhe të përcaktojnë nëse ato janë të vërteta. Përgjegjësia ka emër dhe mbiemër dhe prandaj inkurajojmë organet e drejtësisë që në mënyrë të pavarur të vendosin dhe ndërmarrin hapa për avancimin e planit rreth praktikimit të drejtësisë dhe paanshmërisë e profesionalizmit që do të forcojë integritetin e organeve gjyqësore", thotë Kovaçevski.

Për vazhdimësinë e mosndëshkimit, dështimin e PSP-së, por edhe joefikasitetin e pushtetit aktual gjyqësor, ai thotë se politikat dhe reformat e zbatuara synojnë krijimin e një gjyqësori të pavarur dhe transparent.

"Gjyqësori, prokuroria, institucionet hetimore të lirohen nga interesat politike, partiake apo biznesore që dëmtojnë jo vetëm imazhin e gjithë sistemit të drejtësisë, por edhe të vendit tonë në tërësi. Lufta kundër korrupsionit është prioriteti ynë kryesor. Inkurajon fakti që disa institucione kompetente po marrin masa për parandalimin dhe sanksionimin e akteve korruptive. Për shembull Ministria e Punëve të Brendshme ka intensifikuar aktivitetet e saj në këtë fushë. Në vitin 2022 janë zbuluar 124 vepra korruptive, ku penalisht figurojnë 164 kryerës (158 persona fizikë dhe 6 juridikë) me të cilat është shkaktuar dëm material, mbi 227 milionë denarë", thekson kryeministri.

Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, shton ai, mund të arrihet edhe përmes procesit qasës i cili detekton dobësitë, por edhe ofron zgjidhje përmes kritereve që duhet të përmbushim për të hyrë në BE.

"Përvojat e vendeve të tjera tregojnë se procesi qasës do të kontribuojë në përballjen më të mirë me korrupsionin dhe këtë presin qytetarët - shtet funksional bazuar në drejtësi dhe demokraci, sundimin e ligjit", thotë Kovaçevski në intervistën për MIA-n.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR