• e diel, 24 nëntor 2024

Kisinxher: Zgjidhja për dy shtete nuk është garancion se sulmet nuk do të përsëriten

Kisinxher: Zgjidhja për dy shtete nuk është garancion se sulmet nuk do të përsëriten

Cyrih, 31 tetor 2023 (MIA) - Ish sekretari shtetëror amerikan Henri Kisinxher sot deklaroi se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez me dy shtete nuk është garancion se nuk do të përsëritet ajo që ndodhi në javët e fundit. Ai shtoi se mbështet një zgjidhje paqësore të situatës në Lindjen e Afërt, por thekson se kjo është larg për sa kohë që grupi militant palestinez Hamas është i përfshirë në konflikt.

"Unë jam për një zgjidhje paqësore, por më duket se është larg për sa kohë që Hamasi është i përfshirë në konflikt. Do të dëshiroja negociata ndërmjet botës arabe dhe Izraelit. Sidomos pas këtyre ngjarjeve, unë nuk shoh se negociatat e drejtpërdrejta ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve janë vërtet të frytshme", tha Kisinxher në një intervistë për gazetën zvicerane "Noje Cirher Cajtung".

Ai shtoi se "paqja formale" nuk garanton vendosje të "paqes së përhershme".

"Përvoja me Hamasin tregon se sa e vështirë është zgjidhja me dy shtetet. Në vitin 2005, kryeministri izraelit Ariel Sharon e bëri Rripin e Gazës pothuajse të pavarur për ta testuar mundësinë për një zgjidhje të tillë. Megjithatë, ai e bëri situatën ende më të komplikuar", tha Kisinxher.

Ai theksoi se gjendja në dy vitet e fundit është shumë më e keqe se sa në vitin 2005. Ai beson se Bregu Perëndimor duhet të vihet nën kontrollin jordanez, në vend që të ndjekë një zgjidhje me dy shtete.

Ai theksoi se skenari më i mirë për Lindjen e Afërt do të ishte nëse Egjipti, Arabia Saudite dhe shtetet tjera arabe janë të gatshme të kryejnë presion ndaj elementeve radikale dhe të imponojnë një zgjidhje paqësore.

Duke folur për Rusinë, ai theksoi se Moska, para luftës në Ukrainë, u ndal në anën e Izraelit në konfliktin me arabët.

"Kur Rusia do të ndërhynte tani, do të kishte dy opsione, të ndalet në anën e arabëve ose të veprojë si ndërmjetësues, që do të ishte e çuditshme duke e marrë parasysh luftën në Ukrainë", tha ai.

I pyetur nëse kriza e tanishme hap mundësi që Kina ta sulmojë Tajvanin, Kisinxher thotë se kjo " teorikisht është e mundur".  sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR