• e martë, 24 dhjetor 2024

Kirbi: Biseda konstruktive në Kajro për armëpushim në Gaza, nevojitet bashkëpunim edhe nga Hamasi

Kirbi: Biseda konstruktive në Kajro për armëpushim në Gaza, nevojitet bashkëpunim edhe nga Hamasi

Kajro, 23 gusht 2024 (MIA) - Bisedat për armëpushim në Rripin e Gazës, që këtë javë u mbajtën në Kajro, janë konstruktive dhe është e domosdoshme të gjitha palët të bashkohen për të punuar në implementimin e marrëveshjes së propozuar, kumtoi sot Shtëpia e Bardhë.

 Zëdhënësi i Sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi, deklaroi se militantët e Hamasit duhet të marrin pjesë në biseda, në të cilat dje morën pjesë negociatorë nga Izraeli, SHBA, Egjipti dhe Katari, transmetojnë mediat britanike.

"Ne jemi në Kajro. Ata janë në Kajro. Ne kemi nevojë që Hamasi të marrë pjesë dhe ne duhet të diskutojmë detajet më të rëndësishme të marrëveshjes. Dhe kjo është ajo në të cilën jemi fokusuar në ditët në vijim, këtu gjatë fundjavës", tha Kirbi.

Në bisedimet e armëpushimit në Gaza, Hamasi kërkon një tërheqje të plotë të Izraelit nga enklava palestineze, duke përfshirë një tërheqje nga i ashtuquajturi Korridor i Filadelfisë, një pjesë e ngushtë territori përgjatë kufirit jugor me Egjiptin me një gjatësi totale prej 14.5 kilometrash.

Izraeli dëshiron të mbajë kontrollin e korridorit, të cilin e pushtoi në fund të majit, pasi shkatërroi dhjetëra tunele që ai thotë se ishin përdorur për të kontrabanduar armë në Gaza. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR